Lidhje

Ish presidentët Bush dhe Klinton shpallin ndihma për zonat e prekura nga uragani Katrina


Ish presidentët George Herbert Walker Bush dhe Bill Clinton njoftuan dhënien e disa granteve për komunitetet përgjatë bregut amerikan të Gjirit të Meksikës që ende nuk janë rimëkëmbur pas uraganit Katrina. Fondet u bënë të mundur nga dhurimet e miliona qytetarëve të zakonshëm dhe do të ndihmojnë në rindërtimin e infrastrukturës dhe rigjallërimin ekonomisë së këtyre rajoneve.

Dy ish-presidentët e bënë njoftimin në qendrën e programeve të komunitetit në New Orleans e cila përfitoi nga njëri prej granteve. Fondi Bush-Clinton për Katrinën ka dhënë gjithsej 9.7 milionë dollarë për organet vendore dhe organizatat jo-qeveritare në tre shtetet e goditura nga Katrina: Luiziana, Misisipi dhe Alabama. Ish Presidenti Bush tha se fondi i drejtuar prej tij dhe ish Presidenti Clinton u bë i mundur nga dhurimet e miliona qytetarëve të zakonshëm.

“Ne jemi prekur thellësisht nga bujaria e popullit amerikan që e vërtetoi edhe një herë se e di sesi të jetë një fqinj i mirë. Ata hapën zemrën dhe dhuruan bujarisht një shumë të madhe për shumë fonde, përfshirë tonin. Ne parashikojmë që Fondi Bush-Clinton për Katrinën të grumbullojë deri në 130 milionë dollarë”.

Ish Presidenti Clinton tha se grantet mbulojnë një numër të madh programesh dhe projektesh në zonat e goditura nga Katrina.

“Grantet për të cilat po njoftojmë sot kapin shumën e pothuajse 10 milionë dollarëve. Ato janë për tre shtetet e prekura, për të ndërtuar shtëpi të reja për shërbime të kujdesit shëndetësor, përshirë kujdesin mendor, për të ndërtuar linjat e ujit, kanalizimeve dhe gazit, për ndërtimin e projekteve bregdetare, për shërbime për komunitetin dhe për fëmijët, këshillimin financiar dhe rimëkëmbjen ekonomike”.

Fondi Bush – Clinton caktoi një grant prej dy milionë dollarësh për qytetin Waveland të Mississipit, për të kapërcyer hendekun mes sasisë së akorduar nga fondet federale dhe shumës që komuniteti vendas duhet të paguajë për të rindërtuar infrastrukturën. Lisa Planchard, nëpunëse në bashkinë e qytetit Waveland i tha Zërit të Amerikës se rregullimi i sistemit të ujit, kanalizimeve dhe energjisë elektrike do të bëjë të mundur kthimin e shumë banorëve të larguar.

“Tani ata nuk munden se nuk kanë infrastrukturën për të sistemuar njerëzit që duan të kthehen”.

Një grant tjetër iu dha komunitetit në Bayou La Batre të Alabamës kur 23 barka për kapjen e karkalecave të detit, shumica pronë e imigrantëve vietnamezë u shkatërruan. Tin Nguyen thotë se paratë do ta ndihmojnë që të mund të fillojë përsëri të mbajë veten.

“Ky fond do të na ndihmojë për të ndërtuar një barkë tjetër, të fillojmë punën përsëri”.

Kryetari Bashkisë i qytetit Bayou La Batre, Stan Wright e vlerëson ndihmën dhe i thotë Zërit të Amerikës se pronarët e barkave të peshkut dhe karkalecave të detit, nga të cilët pothuajse gjysma janë aziatiko-amerikanë, i japin kontribut të madh ekonomisë vendase.

“Të gjithë këta njerëz do t’i rikthehen punës brenda 45 ditësh. I jemi shumë mirënjohës fondit Bush–Clinton për Katrinën që i dha 1.6 milionë dollarë qytetit Bayou La Batre për t’i ndrequr këto barka dhe për t’i rivënë ato në punë”.

XS
SM
MD
LG