Lidhje

Një thesar historik i Uashingtonit rrezikon të zhduket


Një thesar historik i Uashingtonit është në rrezik të zhduket nëse deri në dhjetor nuk grumbullohet një fond prej 2 milion dollarësh. Bëhet fjalë për një ndërtesë të stilit tipit arkitektural të Uashingtonit, që ndodhet në qendër të qytetit në një prej lagjeve karakteristike të ruajtura pothuajse të paprekura nga urbanizimi:

Shtëpia Heurich njihet nga banorët si Kështjella e Birrës. Kjo është një ndër ndërtesat më origjinale të stilit viktorian që tani është shndërruar në muzeum. 31 dhomat e saj janë mbushur me punime artistike të gdhendura në dru, një tavan të pikturuar, dhoma të mobiluara me mobilje të shtrenjta si dhe koleksione të familjes Heurich që i përkasin fillimit të shekullit 20.

Kështjella u ndërtua nga viti 1892 deri në vitin 1894 nga imigranti, filantropi dhe prodhuesi i birrës, Christian Heurich. Nipi i tij Gary Heurich është ciceron në muze:

"Nga fillimi i shekullit të 20-të, Heurich kishte arritur një sukses aq të madh, saqë ishte bërë latifondisti më i madh privat në Washington si dhe punëdhënësi më i madh i gjermano-amerikanëve."

Kështjella u ndërtua me çelik dhe beton të derdhur, një teknikë e re në atë kohë, e cila nuk ishte përdorur ndonjëheqë për ndërtesa banimi.

Një tjetër arsye përse kjo ndërtesë është e rëndësishme historikisht është se është e para ndërtesë e ndërtuar në Uashington për t’i rezistuar zjarrit. Heurich kishte dy punishte të tjera në këtë rrugë dhe i kishte rënë zjarri 3 herë. Herën e tretë pothuajse falimentoi, prandaj edhe ishte i vendosur për të gjetur mënyra për të mbrojtur shtëpinë nga zjarri.

Për t’i prerë rrugën zjarrit, Christian Heurich nuk i ndezi asnjëherë asnjë prej 15 vatrave që kishte në shtëpi dhe në majë të kullës vendosi një salamandër, një krijesë që në mitologji ka fuqi të parandalojë zjarrin.

Heurich ishte gjithashtu një ndër biznesmenët më të suksesshëm në Uashington. Ai krijoi kompaninë e prodhimit të birrës Olde Heurich Brewing Company, e cila ende furnizon lokalet e qytetit me birrë.

Pasi vdiq në moshën 102 vjeçare, kështjella ndërroi duar disa herë para se Fondacioni Heurich ta blinte në vitin 2003 për 5,5 milion dollarë, për të mos lejuar që të shndërrohej në një klub privat.

Por aktualisht me rritjen e interesave të kredisë, fondacioni ka ndeshur në vështirësi për të përballuar pagesat, thotë Jane Levey, drejtoreshë e Programit të Turizmit Kulturor në Uashington.

"Sot jemi përballë faktit që muzeu rrezikohet të zhduket dhe mendoj se ka nevojë për mbështetjen e të gjithëve. Mendoj se jemi të gjithë kapitenë të historisë sonë, edhe kur nuk bëhet fjalë për historinë tonë personale. Asgjëkundi tjetër në Uashington nuk do të gjesh një ndërtesë ku sapo futesh ndeshesh me historinë, me një periudhë tjetër dhe një kulturë tjetër."

Gary kujton se kur ishte i vogël kalonte Krishtlindjet në kuzhinë duke provuar birrën e gjyshit. Shkatërrimi i kësaj ndërtese për të do të ishte i padurueshëm:

"S’mund ta imagjinoni dot se çfarë përvoje ishte të uleshe për të ngrënë darkë me gjyshërit e mi në këtë dhomë."

Komuniteti i ka mbështetur përpjekjet për mbrojtjen e ndërtesës, duke dhuruar shuma nga 5 dollarë e deri në 500 dollarë për njeri. Ka pasur edhe një numër veprimtarish për të grumbulluar fonde, përfshirë një darkë organizuar nga studentë të Universitetit Amerikan:

Gary është shkëputur nga puna e rregullt për t’iu përkushtuar punës në muzeum. Ai shpreson se reklama që po i bëhet kësaj ndërtese do të tërheqë vizitorë të rinj, bashkë me to, edhe fonde të reja.

Gjatë dy muajve të fundit, Fondacioni Heurich ka marrë mbi 100 mijë dollarë fonde të dhuruara. Interesi i publikut ka nxitur kryetarin e bashkisë të caktojë një fond për kështjellën nga buxheti i qytetit, duke bërë të mundur që për momentin t’i shpëtojë shitjes.//ii

XS
SM
MD
LG