Analistë të jetës politike në shtypin e Tiranës i shohin me skepticizëm përpjekjet e fundit të forcave politike të opozitës për t'u ribashkuar në një aleancë të qëndrueshme.
Vëmendjen e qarqeve politike e tërhoqi takimi i papritur i së premtes në selinë rozë midis kryetarit të Lidhjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, kryetarit socialist Edi Rama dhe drejtuesve të disa partive më të vogla opozitare.
Kryeredaktori i gazetës "Korrieri", Elton Metaj, thotë se më tepër se sa bashkim, në takimin e së premtes është arritur një marrëveshje mossulmimi midis forcave të opozitës.
"Pas një periudhe dyvjeçare sulmi mes dy partive kryesore të majta Partisë Socialiste dhe Lidhjes Socialiste për Integrim, kjo është një përpjekje që synon të mbyllë këtë periudhë sherri. Megjithatë, unë gjykoj se kjo është thjesht një përpjekje që bëjnë liderat kryesorë, duke patur një presion që vjen nga baza e militantëve nën frymën e zgjedhjeve të ardhshme vendore. Gjykoj se nuk është ende një pakt mes të majtëve, por është më tepër një pakt mossulmimi mes tyre për një periudhë të caktuar, derisa partitë ulen në tryezë për të ndarë bashkitë dhe komunat se ku do të garojnë."
Zoti Metaj thotë se e majta opozitare mori çarje të mëdha nga zgjedhjet e 3 korrikut 2005, ndërsa rivaliteti mes kryetarëve partiakë është i lartë.
"Çarja mes të majtëve ka qenë shumë e thellë dhe unë gjykoj se është fare pak një marrëveshje për reformën zgjedhore për ta bashkuar të majtën. E para; ka një rivalitet mes liderëve për të marrë kreun e së majtës shqiptare dhe së dyti; ka ende një carje të thellë në bazë mes partive sepse ka akuza të ndërsjella për shkaktarët e humbjes së korrikut të shkuar. Dhe kjo çarje e thellë është ende shpejt që të konsiderohet e mbyllur"
Analistë të tjerë mendojnë se përpjekjet për ribashkim të të majtëve po ndodh në mënyrë mekanike dhe jo si një proces i natyrshëm.
Publicisti dhe botuesi i gazetës "55", Fahri Balliu, thotë se ende nuk ka një bashkim frytdhënës të së majtës, sa kohë që ata nuk do të analizojnë përgjegjësitë për shumë probleme korrupsioni dhe kriminaliteti që dolën gjatë dy mandateve qeverisëse të tyre.
"Më parë se të bëjnë takimin e përbashkët, bashkimin apo vendosjen në një front, partitë e majta duhet të ndajnë përgjegjësitë që kanë për tetë vjetët që kaluan, sidomos sa i përket korrupsionit dhe krimit të organizuar. Nëse ato do të futen sërish në një bashkëpunim të ri pa këtë autopsi, atëherë përsëri ato do të jenë të humbura".
Zoti Balliu thotë se është e pakuptimtë afrimi LSI-PS, ndërkohë që arësyet përse ato u ndanë ende nuk janë zhdukur.
"Sidomos në këtë mes çalon fakti që LSI e diferencuar në mënyrë të natyrshme dhe moralisht për shkak se sulmoi monopolet, interesat private, tani i duhet që ende pa u zhdukur në PS këto dukuri të rikthehet në të njëjtin koalicion e në të njëjtin bashkëpunim".
Humbja e zgjedhjeve të përgjithshme në 2005 solli jo pak probleme në raportet mes partive të majta tetë vjet në pushtet. Aleatë të tyre u futën në qeverinë e maxhorancës së re, ndërsa kritikat më të ashpra PS i hodhi mbi LSI si shkaktare e humbjes, me konkurrimin e saj të parë zgjedhor si e mëvetësishme.
Edhe sot një vit pas zgjedhjeve, pak analistë besojnë që tensionet në radhët e opozitarëve të rinj të jenë tejkaluar apo fashitur.//ii