Lidhje

Kryeministri Çeku, vlerëson ndihmën e Shqipërisë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës


Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, vlerësoi ndihmesën që ka dhënë dhe po jep Shqipëria në zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe statusit të ardhshëm të saj. Ai i bëri këto komente të shtunën gjatë vizitës së parë në Tiranë si kryeministër, ku po zhvillon bisedime me zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar.

"Shqipëria, parlamenti dhe institucionet e tjera, gjatë momenteve historike për Kosovën, ka qenë një zë i fuqishëm për të artikuluar dhe argumentuar vullnetin e popullit të Kosovës, situatat në të cilat është gjendur ai" - tha kryeministri Çeku.

Zoti Çeku tha se parlamenti i Shqipërisë e ka mbajtur gjithnjë në agjendën e vet Kosovën dhe problemet e saj dhe ka ndihmuar mjaft deri në castin e sotëm të negociatave për statusin e ardhshëm. "Sot jemi në çastin historik para miratimit të statusit final të Kosovës; pavarësisë së plotë. Në këtë sukses, në këtë drejtë që na takon, sigurisht ka bërë pjesë edhe populli i Shqipërisë dhe të gjitha institucionet shqiptare" - tha ai.

Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, tha se negociatat për statusin e ardhshëm të Kosovës po përparojnë, falë edhe mirëkuptimit mes forcave politike të Prishtinës. "Kryeministri Çeku me autoritetin e tij ka bërë që të avancojnë në mënyrë të lavdërueshme negociatat në drejtim të statusit, i cili besoj se do të përfundojë brenda këtij viti. Është për t'u përshëndetur natyrisht edhe konsensusi midis të gjitha forcave politike në Kosovë në këtë proces, ku diskutohet për decentralizimin, trashëgiminë kulturore etj., ku pala e politikës shqiptare në Kosovë ka treguar një konstruktivitet, një maturi, një kthjellesi dhe një fleksibilitet të lavdërueshëm" - tha ajo.

Zoti Çeku po e viziton Shqipërinë me ftesë të kryeministrit Sali Berisha. Të dy kryeministrat biseduan një ditë më parë rreth zhvillimeve në Kosovë dhe ecurisë së bisedimeve për statusin e saj, dhe të dy shprehën sigurinë për arritjen e pavarësisë. Zotërinjtë Çeku dhe Berisha biseduan edhe për bashkëpunimin ekonomik e kulturor në të dy anët e kufirit, ndërtim rrugësh e investime që do të lehtësojnë komunikimin mes Shqipërisë dhe Kosovës. //rd//

XS
SM
MD
LG