Lidhje

Fuqitë botërore caktojnë afate për përmirësimin e të drejtave të serbëve në Kosovë


Fuqitë botërore i kanë dhënë Kosovës gjashtë muaj afat për të zbatuar 13 detyra konkrete për përmirësimin e të drejtave të serbëve, ndërsa afrohet koha e marrjes së një vendimi për statusin e Kosovës. Mes këtyre detyrave përfshihen miratimi i ligjeve mbi gjuhën dhe lirinë fetare, caktimi i fondeve për kthimin e refugjatëve dhe hapja e më shumë stacioneve të policisë që do të merreshin me shqetësimet për të drajtat dhe sigurinë e pakicave të Kosovës, sidomos asaj serbe. Mes detyrave janë edhe ato që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit.

Grupi i Kontaktit u ka vënë autoriteteve dhe institucioneve në Kosovë detyra mjaft konkrete me data dhe afate konkrete për realizimin e standarteve me përparësi. Në një dokument të shkurtër, Grupi i kontaktit thotë se ka bashkërenduar me misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë një listë të veprimeve me përparësi që duhet të ndërmerren në 4 deri në 6 muajt e ardhshëm.

Përfaqësuesit e vendeve të Grupit të Kontaktit në Prishtinë në bashkëpunim me UNMIK-un, do të mblidhen çdo muaj me zyrtarët e institucioneve vendore për t’u siguruar se ka përparim në këtë listë përparësish. Dokumenti i Grupit të Kontaktit vë theksin në masat që duhet të ndërmerren në lidhje me pakicat dhe luftën kundër korrupsionit. Parlamentit të Kosovës i kërkohet që të miratojë ligjin për gjuhët, pasurinë kulturore dhe lirinë fetare para pushimeve të verës, me një afat të fundit, fundin e tetorit.

Një pjesë e veçantë i kushtohet çështjes së pronave, rindërtimin apo kompensimin e pronave të dëmtuara gjatë trazirave të marsit. Grupi i Kontaktit kërkon gjithashtu që deri më 1 shtator të përfundojë strategjia publike për transportin e anëtarëve të pakicave, të jepen fondet e nevojshme për këtë, po kështu të jepen fondet e institucioneve vendore për kthimin e të zhvendosurve.

Autoriteteve vendore në Kosovë u kërkohet që të ndihmojnë UNMIK-un, veçanërisht duke inkurajuar dëshmitarët që të bashkëpunojnë me autoritetet në përpjekjet për të përfunduar të gjitha hetimet dhe cështjet penale që lidhen me trazirat e marsit. Një ndër detyrat e vëna nga Grupi i Kontaktit është plotësimi i stafit gjuhësor, të përkthyesve dhe përkthimi në të gjitha gjuhët zyrtare i vendimeve dhe rregulloreve të qeverisë dhe shpërndarja e tyre nëpër komuna.

Grupi i Kontaktit kërkon po kështu dhënien e grantit të parë qeveritar për mediat e pakicave dhe hapjen e gjykatave shtesë dhe nënstacioneve policore në zonat e banuara nga pakicat. Lidhur me çështjen e korrupsionit, Grupi I Kontaktit kërkon emërimin e drejtorit të agjensisë kundër korrupsionit deri më 1 korrik dhe shqyrtimin nga parlamenti të projektligjit për prokurimin public.

Grupi i Kontaktit kërkon gjithashtu formimin e komisionit të pavarur të medias para pushimeve verore të parlamentit. Detyrat e vëna nga Grupi I Kontaktit për herë të parë përmbajnë kërkesa mjaft konkrete që kanë të bëjnë kryesisht me ligje që duhet të miratohen nga parlamenti dhe veprime konkrete që duhet të ndërmerren nga qeveria e Kosovës.

XS
SM
MD
LG