Lidhje

Serbia njeh zyrtarisht pavarësinë e Malit të Zi


Serbia njohu zyrtarisht pavarësinë e Malit të Zi pasi ky vend votoi me një referendum muajin e kaluar për t’u shkëputur nga Beogradi.

Përmes një deklarate të bërë sot, qeveria serbe thotë se shpreson të krijojë lidhje diplomatike me shtetin e ri malazez. Mali i Zi mbajti referendumin më 21 maj për të shpallur pavarësinë nga Serbia.

Një shumicë e ngushtë prej 55 presje 5 përqindësh e atyre që votuan miratoi shkëputjen, duke plotësuar kështu 55 përqindëshin e kërkuar sipas marrëveshjes me Bashkimin Evropian që referendumi të ishte i vlefshëm. Parlamenti i Malit të Zi shpalli zyrtarisht pavarësinë më 3 qershor.

Bashkimi trevjeçar Serbi-Mali i Zi ishte i fundit nga federata e gjashtë republikave që përbënin dikur Jugosllavinë. Shumica e republikave u shkëputën gjatë luftës në Ballkan në fillim të viteve 90.

XS
SM
MD
LG