Lidhje

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian përfundojnë takimin e nivelit të lartë


Udhëheqësit e Bashkimit Evropian përfunduan takimin dyditor të nivelit të lartë në Bruksel, ku diskutuan rreth zgjerimit të organizatës, kushtetutës së saj dhe për çështje të tjera ndërkombëtare. Udhëheqësit diskutuan rreth çështjes së debatueshme të aftësisë së bllokut për t’u zgjeruar me anëtarë të tjerë.

Disa shprehën shqetësim se kjo çështje do të përbëjë pengesë për vendet që dëshirojnë të hyjnë në bllok. Udhëheqësit evropianë miratuan edhe një paketë të re ndihmash humanitare për palestinezët.

Paketa e re e ndihmave të emergjencës që Bashkimi Evropian miratoi për palestinezët kap shifrën prej rreth 126 milion dollarësh. Një zëdhënëse e Bashkimit Evropian u tha gazetarëve në Bruksel se ajo do të jepet përmes një mekanizmi të ri financimi që do të fillojë të funksionojë muajin e ardhshëm dhe që do të anashkalojë qeverinë e Hamasit.

Si Bashkimi Evropian ashtu edhe Shtetet e Bashkuara ndërprenë ndihmat për territorin palestinez, përsa kohë që Hamasi kundërshton të dënojë terrorizmin, nuk përkrah procesin e paqes dhe nuk njehë shtetin e Izraelit.

Ky i fundit ka ndërprerë gjithashtu dërgimin e të ardhurave nga taksat dhe doganat në Autoritetin Palestinez. Shumë palestinezë, si dhe qeveria e tyre, po përballen me vështirësi të mëdha ekonomike.

Në fillim të javës, kryeministri i ri izraelit Ehud Olmert, bëri një vizitë në Evropë për të fituar mbështetje për tërheqjen e planifikuar të Izraelit nga Bregu Perendimor Por ideja nuk u prit me shumë entuziazëm.

Gjatë një konference shtypi të premten në Bruksel, Ursula Plassnik, ministrja e jashtme e Austrisë, që mban presidencën e radhës, bëri thirrje për dialog midis izraelitëve dhe palestinezëve.

“Kemi shprehur gjithmonë rezerva rreth masave të njëanëshme që mund të venë në rrezik një zgjidhje të negociuar. Ky është qëndrimi i Bashkimit Evropian dhe nuk ka prirje për ta ndryshuar atë”.

Udhëheqësit evropianë gjithashtu shtynë planet për të rihapur planet për miraitmin e kushtetutës evropiane, e cila u hodh poshtë nga votuesit në Francë dhe Holandë vitin e kaluar. Por ata mbeten optimistë në një çështje tjetër, pranimin e anëtarëve të rinj në të ardhmen. Megjithatë presidenti i Komisionit Evropian Zhose Manuel Barroso u tha gazetarëve se anëtarësimi i Turqisë është veçanërisht problematik:

“Do të ishte gabim të mendoje se kjo çështje nuk përbën një sfidë të madhe. Por e them këtë në mënyrë pozitive. Pasi në se kërkon të dalësh me sukses, duhet të përpiqesh, dhe kjo qëndron si për anën evropiane ashtu edhe për atë turke”.

Udhëheqësit evropianë shprehën shqetësime rreth deklaratave të bëra nga kryeministri turk Rexhep Tajip Erdohan. Zoti Erdohan kundërshtoi hapjen e porteve të Ankarasë për anijet nga ishulli i ndarë i Qipros në se nuk do të kishte marrëveshje për turqit e Qipros. Bashkimi Evropian e ka bërë tregëtinë me Qipron dhe anëtarët e tjerë kusht paraprak për anëtarësim të mundshëm.

Një takim tjetër i nivelit të lartë do të zhvillohet javën e ardhshme në Austri midis Bashkimit Evropian dhe presidentit Bush. Zyrtarët evropianë thonë se do të ngrenë shqetësime rreth burgut të Guantanamos gjatë këtyre bisedimeve.

XS
SM
MD
LG