Lidhje

Anulohet një takim mes zyrtarëve të lartë të Fatahut dhe Hamasit


Një takim mes zyrtarëve të lartë të Fatahut dhe Hamasit për të zbutur luftën për pushtet midis këtyre dy fraksioneve palestineze u anulua.

Zyrtarë të Presidentit të Autoritetit Palestinez Mahmud Abas thanë se takimi ishte anuluar prej tij, duke shtuar se ishte e nevojshme që të zhvilloheshin negociata të tjera për çështjet kryesore.

Ai kishte në plan të takohej me kryeministrin Ismail Hanije për të diskutuar mbi një propozim për krijimin e shtetit palestinez, i cili do të njihte ekzistencën e Izraelit.

Zoti Abas ka propozuar një nismë që synon krijimin e shtetit palestinez në Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës dhe Jeruzalemin Lindor. Ai ka bërë thirrje gjithashtu për njohjen e Izraelit.

Hamasi e ka kritikuar premtimin e zotit Abas për t’ja nënshtruar propozimin një referendumi më 26 korrik nëse deri atëhere nuk arrihet marrëveshje. Hamasi thotë se kjo është një përpjekje për të përmysur qeverinë.

Zyrtarët e Hamasit thonë se është bërë përparim në bisedime. Por ata thonë gjithashtu se do të vazhdojnë të bëjnë thirrje për shkatërrimin e Izraelit.

Hamasi erdhi në pushtet në muajin mars pas fitores në zgjedhjet palestineze. Ai është përballur me sanksione ndërkombëtare për shkak të refuzimit për të hequr dorë nga dhuna dhe për të njohur Izraelin. //ze//

XS
SM
MD
LG