Lidhje

Sejdiu: Pas pavarësisë, vjen integrimi euro-atlantik i Kosovës


Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu deklaroi në Tiranë të martën se procesi për statusin e ardhshëm do të çojë me siguri në pavarësinë e Kosovës dhe njohjen ndërkombëtare të saj. Zoti Sejdiu i bëri këto komente gjatë një vizite dyditore që ka nisur në Tiranë me ftesë të Presidentit të Shqipërisë, Alfred Moisiu.

Ai tha në konferencën e përbashkët me të se integrimet euro-atlantike të Kosovës janë një tjetër qëllim madhor për Kosovën pas arritjes së pavarërisë:

"Pas njohjes së pavarësisë së Kosovës, një proces që do të vijë natyrshëm, krahas obligimeve që ne do t'i përmbushim, është hyrja në integrimet euro-atlantike. Ky është objektiv po ashtu edhe i Shqipërisë. Një objektiv i rëndësishëm në këtë kohë të zhvillimeve është se vërtet Kosova dëshiron të dëshmohet edhe më tej me një stabilitet të brendshëm" - tha zoti Sejdiu.

Presidenti Sejdiu tha se Kosova po punon për të ardhmen e saj, për qëndrueshmëri, zhvillim dhe fqinjësi të mirë. Ai kërkoi bashkëpunim edhe më intensiv midis Kosovës dhe Shqipërisë në fushat ekonomike, kulturore e legjislative, në valën e përpjekjeve për forcimin e institucioneve të reja shtetërore në Prishtinë.

Ndërsa Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, tha se vlerat e plota të shqiptarëve në rajon do të shfaqen edhe më mirë gjatë zhvillimeve të tjera integruese në Ballkan.

"Kosova e pavarur është burim paqeje dhe stabiliteti për këtë rajon. Mendimi yne ka qenë, është dhe do të mbetet, - Kosova e pavarur. Kjo siguron vertet një zhvillim paqësor të rajonit tonë, i siguron stabilitet dhe te ardhme rajonit te Ballkanit dhe të gjithë së bashku të përgatitemi për t'u integruar në Bashkimin Europian" - tha zoti Moisiu.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, zhvilloi bisedime në Tiranë edhe me kryeministrin Sali Berisha. Ata shprehën besimin e tyre pas takimit se statusi i ardhshëm i Kosovës do të jetë brenda këtij viti ai status që e dëshirojnë banorët dhe populli i saj, një pavarësi e plotë. Të dy zyrtarët e lartë diskutuan për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, diplomatik dhe në ndërtimin e infrastrukturës midis Shqipërisë dhe Kosovës.

Zoti Sejdiu tha se mundësitë për bashkëpunim janë të mëdha dhe ende të pashfrytëzuara. Zoti Berisha tha për shtypin se veç të tjerash, diskutoi me shqetësim me Presidentin e Kosovës, rreth disa incidenteve gjatë fushatës zgjedhore në Maqedoni, të cilat ai i quajti "të papranueshme".

"Me Maqedoninë - tha ai - si Shqipëria dhe Kosova, kanë marrëdhënie shumë të mira".

Zoti Sejdiu po e viziton Shqipërinë me ftesë të presidentit të Shqipërisë, Alfred Moisiu, dhe veç takimeve me zyrtarët më të lartë shtetërorë, mbajti një fjalim para parlamentit në Tiranë, ndërkohë që ka programuar takim me përfaqësues të opozitës dhe vizita në objekte historike të Shqipërisë.

XS
SM
MD
LG