Lidhje

Imigrantët e paligjshëm në sistemin e drejtesisë në Shtetet e Bashkuara


Ndërsa Kongresi amerikan merr në shqyrtim ligjet e imigracionit, çështja në se një pjesë e imigrantëve të paligjshëm i futen rrugës së krimit me të ardhur në Shtetet e Bashkuara, ka tërhequr vëmendje të madhe. Por, pavarësisht nga publiciteti që është bërë lidhur me këtë çështje, siç do të mësoni nga materiali në vazhdim, numri i imigrantëve të paligjshëm në burgjet amerikane është i ulët.

Nëpër burgjet shtetërore, lokale, apo federale në Shtetet e Bashkuara, ka rreth 120 mijë të burgosur që nuk janë shtetas amerikanë. Shumë prej tyre thjesht janë në pritje për t’u dërguar në vendet e tyre, të tjerë ndodhen në burg nën akuzat për krime, si vrasje, përdhunime, vjedhje dhe kontrabandë droge.

Statistikat mund të jenë çorientuese, në se ato nuk shihen në kontekstin e duhur, thotë Allen Back, i Departamentit të Drejtësisë. "Rreth 20 për qind e të burgosurve federalë nuk janë nga Shtetet e Bashkuara. Kjo do të thotë se në sistemet federale ka rreth 35 mijë të burgosur jo-amerikanë. Rreth gjysma e tyre janë futur në burg për shkelje të rregullave të imigracionit, gjysma tjetër ndodhen atje për vepra të tjera kriminale, më tipikja mes tyre, marrja me drogë."

Zoti Back thotë se në statistikat ekzistuese nuk bëhet diferencimi mes imigrantëve të ligjshëm dhe atyre të paligjshëm dhe ato nuk krahasojnë numrin e imigrantëve të burgosur me atë të burgosurve nga popullsia në përgjithësi. "Mendoj se është e rëndësishme të kuptohet se popullsia imigrante në sistemin e drejtësisë kriminale nuk është në rritje. Rritja e numri të të burgosurve në burgjet amerikane nuk ka lidhje me rritjen e numrit të imigrantëve, apo popullsisë që nuk ka shtetësinë amerikane," thotë zyrtari.

Instituti i Politikave të Migracionit në Washington ka përfunduar një studim mbi imigrantët dhe sistemin e drejtësisë, të bazuar në mikro-model të kryer nga Zyra e Regjistrimit të Popullsisë në vitin 2000. "Ndryshe nga një numër i madh perceptimesh të gabuara të publikut, imigrantët aktualisht zenë numrin më të vogël mes grupeve të tjera të popullsisë në vendinn tonë, përsa i përket veprave kriminale- thotë Kathleen Newland, drejtoreshë e institutit."

Zonja Newland thotë se rreth 3,5 për qind e popullsisë amerikane ndodhet nëpër burgje mesatarisht, në një kohë të caktuar. Mes grupeve të popullsisë, ajo afrikano-amerikane ka numrin më të lartë të të burgosurve, ndërsa mes imigrantëve, numri i të burgosurve është rreth 1,3 për qind më i ulët se në çdo grup tjetër.

Ndërsa banorët amerikanë që janë lindur në vende të tjera kanë një ritëm më të vogël burgosjeje se sa ata që kanë lindur në Amerikë, ky ritëm rritet në përpjestim të drejtë me kohëqëndrimin e tyre në Shtetet e Bashkuara. Për brezin e dytë, pra për fëmijët e imigrantëve, ritmi i të burgosurve është shumë më i lartë se sa prindërit e tyre, në disa raste, 5, 6, 7, e deri 8 herë më tepër.

Ekspertët vlerësojnë se rreth 12 milionë njerëz ndodhen në Shtetet e Bashkuara pa dokumente të ligjshme. Shkeljet e rregulave të imigracionit cilësohen si shkelje të ligjit civil dhe jo si krim. Imigrantët e paligjshëm mund të ndalohen para se të deportohen, por në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një krim.

Aktualisht, një ligj i miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve, i cilëson kriminelë imigrantët e paligjshëm. Në se ky variant i ligjit miratohet nga Senati, ai do t’i cilësonte kriminelë të 12 milionë imigrantët e paligjshëm që jetojnë në Shtetet e Bashkuara. //ad//

XS
SM
MD
LG