Lidhje

Popullsia amerikane po arrin në 300 milionë


Statistikat e reja tregojnë se popullsia e Shteteve të Bashkuara po arrin një shifër të rëndësishme. Zyra e Numërimit të Popullatës parashikon që popullsia amerikane të arrijë në 300 milionë aty nga muaji tetor.

Çdo 11 sekonda, ora në faqen e internetit të Zyrës së Numërimit të Popullatës i shton një person popullsisë së Shteteve të Bashkuara, një rritje pothuajse sa e Kinës.

SHBA-ja është vendi i industrializuar me rritjen më të madhe të popullsisë në të gjithë botën me një përqind ose 2 presje 8 milionë njerëz çdo vit.

Demografi Andrew Beveridge i Kolegjit Queens të Nju Jorkut thotë se imigracioni është arsyeja kryesore e rritjes së popullsisë në Shtetet e Bashkuara.

“Faktori kryesor i cili ka bërë që popullsia e Shteteve të Bashkuara vazhdon të rritet është imigracioni, dhe së bashku me të edhe fëmijët e imigrantëve.”

36 milionë imigrantët që vlerësohen se janë në Shtetet e Bashkuara po kontribuojnë në këtë rritje me anë të numrit të lindjeve. Ardhjet e imigrantëve janë faktor që ndikon gjithashtu. Demografët thonë se një imigrant i ri hyn çdo 30 sekonda në Shtetet e Bashkuara. Shumica janë hispanikë.

Problemet e popullsisë globale janë një nga arsyet për rritjen e imigracionit. Popullsia e botës prej 6 miliardë e gjysëm njerëzish rritet çdo vit me 76 milionë dhe pothuajse e gjithë kjo shtesë ndodh në vendet në zhvillim.

Rëniet e numrit të lindjeve në Evropë janë shqetësuese gjithashtu. Sipas të dhënave të Agjencisë Qendrore të Zbulimit, mesatarisht gratë duhet të kenë dy fëmijë në mënyrë që një shoqëri të vazhdojë të riprodhojë veten. Shqipëria është i vetmi vend në Evropë ku një grua lind mesatarisht dy ose më shumë fëmijë.

Profesor Beveridge thotë se ndryshe nga disa vende evropiane të cilat e kanë dekurajuar imigracionin, Shtetet e Bashkuara kanë burime të qendrueshëm njerëzish për të mbështetur infrastrukturën e vendit dhe shërbimet.

“Fakti që imigrantët vazhdojnë të hyjnë, nuk lejon të arrish në një situatë ku ndodhen disa vende evropiane, që kanë shumë pak të rinj. Dhe kur kjo ndodh, atëherë nuk mjaftojnë njerëzit për krah pune. Në këto kushte ku shoqëria vazhdon të plaket dhe nuk ka të rinj, arrin në një pikë ku nuk mund të financosh më sistemet e pensionit.”

Ekspertët e popullsisë parashikojnë se Shtetet e Bashkuara do të kenë 420 milionë njerëz në vitin 2050.

Kina, me politikën e saj të lindjes së jo më shumë se një fëmije, pritet të ruajë një popullsi të njëjtë gjatë katër dekadave të ardhshme, ndërkohë që India do ta kalojë atë duke u bërë vendi me popullsinë më të madhe. Shtetet e Bashkuara pritet të mbeten në vendin e tretë.

XS
SM
MD
LG