Lidhje

Surroi: Megjithë kufizimet, Kosova në fund të procesit duhet të jetë anëtare e OKB-së


Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, në muajin korrik pritet zhvillimi i një takimi të nivelit të lartë, mes udhëheqësve të Kosovës dhe atyre të Serbisë. Çfarë pritet nga një takim i tillë, kur palët, në bazë të qëndrimeve të djeshnme në OKB-së nuk kanë bërë asnjë tërheqje nga qëndirmet e tyre?

Veton Surroi: Ne nuk dimë ende se për çfarë është fjala pasi zoti Ahtisari ende nuk i ka dërguar ftesat, por sidoqoftë ne shohim që nga Beogradi nuk kemi as edhe më të voglin sinjal të bashkëpunimit në këtë proces negociator kështu që me të drejtë e shtroni pyetjen se për çfarë do të bëhet fjalë.

Zëri i Amerikës: Meqë atëhere nuk është arritur asnjë kompromis, si shihet e ardhmja e këtyre bisedimeve, flas për statusin politik?

Veton Surroi: Statusi politik as që do të duhej të vihej në bisedim me Beogradin. Beogradi e ka humbur me kohë të drejtën që të mendoj, e aq më tepër të bisedojë për statusin politik të Kosovës. Negociatat zhvillohen në dy rafshe themelore; rafshi i parë është se cili do të jetë niveli i ndërhyrjes së bashkësisë ndërkombëtare në Kosovën e pavarur dhe këtë për shkak të faktit se Kosova për fat të keq, në shtatë vitet e keqqeverisjes nuk ka treguar aftësi të mjaftueshme për të funksionuar si një shtet demokratik funksional. Rafshi i dytë ka të bëjë me të drejtat minoritare, domethënë cili është niveli i të drejtave minoritare të cilat duhen siguruar në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, kur flitet sot për statusin e Kosovës mendimi i përgjithshëm që mbizotëron është se statusi duhet të jetë ai i pavarësisë por ndoshta e shoqëruar me kushte ose me faza, ose me sovranitet të kufizuar fillimisht. A do të jetë pala shqiptare e gatshme për të negociuar mbi këto variante?

Veton Surroi: Pala shqiptare tashmë ka hyrë në proces të kushtëzuar për të arritur në pavarësi. Ne kemi pranuar që në fillim parimet e grupit të kontaktit dhe këto parime janë se në fund të këtij procesi Kosova do të ketë një prani ushtarake ndërkombëtare dhe një prani civile ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Përveç kësaj, a do të pranonit ju të negocionit për një sovranitet më të kufizuar të pavarësisë së Kosovës dhe për shtyrjen e procesit të pavarësisë, për fazat e tij?

Veton Surroi: Sovraniteti që tani është i kufizuar për vetë faktin se nuk bëhet fjalë për një rrumbullakësim të sovranitetit që e kanë shtetet e tjera, por bëhet fjalë për një rrumbullakësim të një sovraniteti të shoqëruar, me prani ndërkombëtare. Vija jonë e kuqe në këtë drejtim do të ishte Kosova si një subjekt ndërkombëtar. Kosova në fund të këtij procesi duhet të jetë anëtare e Kombeve të Bashkuara.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, doja të ndalesha tek ideja që shprehët pak më parë për mungesën e ekzistencës së një shteti funksional në Kosovë. Siç dihet, ata që argumentojnë sot kundër pavarësisë ndër të tjera thonë se një Kosovë e pavarur do të bëhej një vend i paqëndrueshëm për shkak të përhapjes së gjerë të krimit të organizuar. Sa i përhapur është ky fenomen në shoqërinë tuaj?

Veton Surroi: Unë mendoj se duhet kthyer argumenti ndryshe. Fakti se ne kemi patur këtu për shtatë vjet të menaxhimit nga ana e Kombeve të Bashkuara nuk ka krijuar një shtet funksional demokratik për shkak se nuk ka krijuar një sistem të përgjegjësisë. Vetëm një shtet i pavarur i Kosovës mund të jetë demokratik dhe funksional sepse krijon marrëdhënie të përgjegjësisë edhe me qytetarët e vet.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, udhëheqësit shqiptarë te Kosovës thonë se gjendja e pakicës serbe në Kosovë është e sigurtë dhe ajo gëzon rilëvizje dhe shtojnë se ideja që pakicat nuk kanë siguri është më tepër çështje imazhi sesa realitet. Përfaqësues të pakicës serbe kanë përshtypje krejt tjetër. Ju keni qënë në krye të një përpjekjeje për hartimin e një kornize ligjore për pakicat. Cili është mendimi juaj për gjendjen e pakicës serbe. A do të arrijë Kosova ta përmbush këtë standart?

Veton Surroi: Për fat të keq kemi trashëgimi negative me komunitetin serb në Kosovë. Në fillim për shkak të qëndrimit tejet negativ të komunitetit serb po them në përgjithësi kolektive karshi regjimit të Milosheviçit, domethënë kur komuniteti serb u instrumentalizua për politikën e Milosheviçit, por natyrisht edhe mbas luftës ku ka patur një ndërshkim të komunitetit serb në Kosovë. Nuk mund të themi se komuniteti serb është absolutisht i lirë, absolutisht me të gjitha të drejtat. Nga ana tjetër nuk është po ashtu e vërtetë se ky komunitet ka treguar gadishmëri për tu integruar në këtë shoqëri. Kështu që ende duhet shumë për të punuar në të dy drejtimet. //rd//

XS
SM
MD
LG