Lidhje

Ish-agjentja e CIA-s ngre padi ndaj nënpresidentit për nxjerrjen e identitetit të saj


Ish-agjentja e CIA-s, Valerie Plame njoftoi se ka ngritur padi ndaj nënpresidentit Dick Cheney dhe disa zyrtarëve të tjerë amerikanë, të cilët i akuzon se kanë nxjerrë identitetin e saj si punonjëse e Agjencisë Qendrore të Zbulimit. Zonja Plame thotë se të akuzuarit duhet të përgjigjen për atë që e cilëson si një sjellje të turpshme.

Zonja Plame dhe i shoqi i saj, ish-ambasadori amerikan Joseph Wilson dhanë të premten një konferencë shtypi në Uashington lidhur me vendimin për të ngritur padi ndaj nënpresidentit Cheney, ish-këshilltarit të tij të lartë Lewis Scooter Libby, ish-këshilltarit të Presidentit Karl Rove dhe 10 zyrtarëve të tjerë të lartë të paidentifikuar.

Zoti Wilson i akuzoi këta zyrtarë se janë përpjekur për ta diskredituar dhe janë përpjekur të hakmerren pasi ai hodhi poshtë pretendimet e administratës për të justifikuar luftën në Irak. Ai tha se nuk ushqen iluzione për shkallën e vështirësisë që do të paraqesë kjo çështje.

Shtëpia e Bardhë nuk ka bërë komente për këtë akt-padi që u paraqit të enjten.

XS
SM
MD
LG