Lidhje

Shqipëri: tensionohet përsëri jeta politike


Shumica në parlamentin e Shqipërisë u detyrua mbrëmë të ndërronte sallën e punimeve të seancës së radhës, për të bërë të mundur votimin e kandidaturave për anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Deputetët e opozitës mbajtën të bllokuar sallën e seancave plenare në shenjë proteste ndaj ndryshimit të procedurave, pasi shpresonin që të votohej vetëm një kandidat i së majtës. Mbrëmë vonë, juristi Arben Ristani u zgjodh me shumicë votash gjatë një votimi të fshehtë me kuti, por opozita deklaroi se nuk do ta njihte këtë vendim. Dita e djeshme ishte nje dite dramatike në parlamentin shqiptar, me incidente që rrallë mund të hasen në një institucion kaq të rëndësishëm.

Juristi Arben Ristani u zgjodh mbrëmë me votat e shumicës të parlamentit si anëtari më i ri i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Nën drejtimin e kryetares Jozefina Topalli, parlamenti i vazhdoi punimet në një sallë tjetër të selisë së vet, ndërkohë që deputetët e opozitës mbanin të bllokuar sallën e seancave plenare.

Nga votimi i fshehtë me kuti i 77 deputetëve të pranishëm në seancën e pazakontë që filloi afër mesnatës, kandidatura e zotit Ristani fitoi 73 vota kundrejt 4 votave që mori kandidatura e zotit Genc Shala të Lëvizjes Socaliste për Integrim (LSI).

Zoti Ristani ka punuar për disa kohë si këshilltar juridik i presidentit Moisiu dhe kandidatura e tij u shtua nga shumica përballë kandidatit të LSI pas pakënaqësive të koalicionit qeveritar për zgjedhjen nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë i një kandidature socialiste për antër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Deputetët e opozitës dolën nga salla e Kuvendit pas 12 orësh bllokimi të saj në shenjë proteste ndaj procedurave të reja që kërkonin votimin e 2 kandidatëve. Opozita doli nga salla plenare pak pas mesnatës, duke lënë pas tryeza, karrige dhe mikrofona të shkatërruar, ndërkohë që në sallën tjetër të parlamentit shumica numëronte votat e kutisë së fshehtë.

Përfaqësues të opozitës thanë se ata nuk do t'i njihnin vendimet që po merreshin në sallën tjetër të parlamentit duke deklaruar se atje po ndiqej një procedurë e paligjshme.

Protesta e djeshme e opozitës i dha një kthesë të papritur jetës politike në Tiranë, duke rritur sërish tensionet, pikërisht në ditën e fundit të punës së Parlamentit në prag të pushimeve të verës.

Incidentet filluan që në seancën e mëngjesit kur kryetari i LSI-së, Ilir Meta, kapërceu tryezën e kryeministrit dhe u përpoq të afrohej tek kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli, ku ndeshi me frenimin e punonjësve të gardës.

Një tjetër deputet i LSI-së, Ndre Legisi, rrëzoi mikrofonat e tryezës së kryeministrit dhe nisi një tjetër përplasje me oficerët e gardës në cepin tjetër të sallës. Deputetët e LSI-së u mbështetën energjikisht nga deputetët e tjerë të opozitës, të cilët në pak çaste u mblodhën pranë kryetares së parlamentit. Tryeza, karrige, mikrofona e vazo lulesh u shembën të thyera dhe situata doli shpejt nga kontrolli i çdo lloj rregulli, vetpërmbajtjeje dhe etike.

Seanca parlamentare u mbyll në ato çaste dhe nuk u arrit të rifillonte më deri pas 12 orësh qëndrimi të pandërprerë të deputetëve të opozitës në mjediset e brendshme të parlamentit.

Përfaqësues të Partisë Socialiste bënë të ditur për shtypin se qëndrimin e tyre politik së bashku me aleatët për zhvillimet më të fundit, ata do t'i publikonin të shtunën afër mesditës në komunikime të tjera publike.//ii

XS
SM
MD
LG