Lidhje

Di Carlo: Shpresojmë për një zgjidhje të statusit të Kosovës përmes negociatash, por zgjidhja duhet të jetë e pranueshme nga populli i Kosovës


Zëvendësndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit, Rosemary Di Carlo, tha për Zërin e Amerikës, se Shtetet e Bashkuara janë plotësisht të angazhuara në procesin për statusin e Kosovës dhe presin nga të dy palët, shqiptarët dhe serbët, të tregojnë fleksibilitet dhe aftësi udhëheqëse, për arritjen e një zgjidhjeje të pranueshme nga populli i Kosovës. Zonja De Carlo theksoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbeten të angazhuara në Kosovë dhe rajon edhe pas përcaktimit të statusit dhe do të jenë pjesë e pranisë ndërkombëtare civile e ushtarake atje.

Zëri i Amerikës: Zonja Sekretare, kohët e fundit ju morrët pjesë në takimin e Vjenës ku ishin të pranishme të dy palët ajo shqiptare dhe ajo serbe. Çfarë mund të thoni për ecurinë e këtij takimi dhe angazhimin amerikan?

Rozmari Di Karlo: Ne kemi qënë shumë të angazhuar në procesin për statusin e ardhshëm të Kosovës. Ne kemi marrë pjesë në shumë takime dhe diskutime si dypalëshe ashtu edhe si pjesëtarë të Grupit të Kontaktit. Ne ishim vëzhgues në takimin e nivelit të lartë të Vjenës më 24 korrik. Jemi shumë të inkurajuar nga ky takim. Ne mendojmë se ky ishte një takim i rëndësishëm, pasi të dy palët u ulën për herë të parë në tryezën e bisedimeve përballë njera-tjetës. Dy aspekte, për mendimin tim janë të rëndësishme për t’u vënë në dukje për këtë takim: Së pari, ato trajtuan me respekt dhe dëgjuan me vëmendje pikpamjet e njera tjetrës për statusin e ardhshëm të Kosovës. Së dyti, takimi shënoi një fazë të re të procesit pas një sërë takimesh jo të drejtpërdraja.

Zëri i Amerikës: Të dy palët kanë shprehur qendrime pa kompromis lidhur me statusin. Shqiptarët nuk pranojnë asgjë më pak se pavarësia, ndërsa serbët, përfshirë këtu edhe deklaratat e Kryeministrit Koshtunica në Uashington dhe të radikalëve serbë në Beograd, se nuk do të heqin dorë nga Kosova. Si mund të pajtohen këto qendrime?

Rozmari Di Karlo: Siç e ka bërë tepër të qartë Grupi i Kontaktit në shumë deklarata, ne shpresojmë për një zgjidhje të statusit të Kosovës përmes negociatash, por kjo zgjidhje duhet të jetë e pranueshme nga populli i Kosovës. Prandaj ne shpresojmë që të dyja palët të vazhdojnë të negociojnë, e madje në mënyrë kontruktive, dhe, sado të vështira, të arrijnë në një numër marrëveshjesh praktike në mënyrë që të garantohet një rajon i qendrueshëm dhe i sigurtë ballkanik.

Zëri i Amerikës: Për disa javë me radhë është vënë re një fushatë në media nga grupe lobiste serbe kundër pavarësisë së Kosovës, përfhsirë edhe një reklamë negative në gazetën Roll Call. A do të kishte një fushatë e tillë ndonjë ndikim në Uashington?

Rozmari Di Karlo: Pikësëpari, qendrimi ynë ka qenë vazhdimisht që ky proces duhet të fillojë përmes arritjes së marrëveshjeve në çështje themelore që do të përmirësonin jetën e popullatës dhe duke zgjidhur çështje të të drejtave të pakicave, të drejtave të komuniteteve, të kthimit të pronave, lirisë së lëvizjes, dhe çështje të ngutëshme ekonomike. Pavarësisht nga statusi që do të ketë Kosova, shqiptarët dhe serbët e Kosovës duhet të arrijnë marrëveshje praktike për të garantuar qeverisje të efektshme. Dhe këtu duhet të përqendrohet vëmendja e të dy palëve: arritja e marrëveshjeve në një gamë çështjesh që zoti Ahtisari ka shtruar për zgjidhje, që do të ndihmojnë dhe garantojnë që Kosova të jetë një shoqëri paqësore, e qendrueshme dhe shumë etnike. Ne duhet të përqendrohemi tek arritja e zgjidhjeve funksionale, të mbështetura në kompromis dhe realiste, që do t’i hapnin rrugën një qeverisjeje të efektshme, që siç e dimë është çështje themelore. Ky është një objektiv për të cilin duhet të përpiqen të dyja palët në mënyrë që të arrihet një qeverisje e efektshme, pa probleme dhe fuksionale, pra, që në Kosovë të mos kemi vetëm qendrueshmëri, por edhe begati.

Zëri i Amerikës: Me angazhimin e tyre në Irak, Afganistan, Lindjen e Mesme, sa është çështja e Kosovës në vemendjen amerikane?

Rozmari Di Karlo: Sekretarja e Shtetit Condoleezza Rice e ka bërë shumë të qartë se dëshëron që Shtetet e Bashkuara të jenë të angazhuara në mënyrë aktive në Evropën Juglindore dhe Ballkan. Ajo beson se është koha kur mund të arrihen ndryshime. Duhen marrë vendime të vështira dhe ne e kemi quajtur vitin 2006 si vitin e vendimeve. Është pikërisht koha për të ndihmuar vendet e rajonit për të ecur përpara. E themi këtë për të gjithë rajonin. Po bashkëpunojmë shumë ngushtë me Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë në lidhje me aspiratat e tyre për t’u anëtarësuar në Nato. Kemi bashkëpunuar shumë ngushtë me Bosnjë-Hercegovinën në reformën në fushën e mbrojtjes, kemi ndihmuar në rerfomën në sektorin e policisë e gjithashtu, vjeshtën e kaluar, lehtësuam diskutimet mbi reformën kushtetutore, pra, në të gjitha fushat që i duhen Bosnjë-Hercegovinës për të shkuar drejt procesit të anëtarësimit në Nato. Po punojmë nga afër me Serbinë dhe, siç shihet, jemi angazhuar në procesin e përcaktimit të statusit të ardhshëm të Kosovës si vend-anëtar i Grupit të Kontaktit dhe kemi ndër mend ta vazhdojmë këtë angazhim në Kosovë dhe rajon. Edhe pas përcaktimit të statusit, do të jemi pjesë e pranisë ndërkombëtare civile e ushtarake.

XS
SM
MD
LG