Lidhje

Policia britanike tha se ka besim se ka kapur të gjithë pjesmarrësit kryesorë të komplotit


Policia britanike tha se ka besim se ka kapur të gjithë pjesmarrësit kryesorë të komplotit për të hedhur në erë një numër avionësh amerikanë mbi Oqeanin Atlantik.

Komentet i bëri dje sekretari i brendshëm britanik Xhon Rid pas arrestimit nga policia të 24 personave të dyshuar në Londër, Birmingam dhe në Anglinë juglindore që pasuan një operacion përgjimi i cili zgjati 8 muaj.

Sipas disa njoftimeve britanike dhe amerikane, 5 persona të dyshuar për komplotin nuk janë gjetur. Zyrtarët britanikë dhe amerikanë thanë se gjatë njërës prej bastisjeve u gjet një videokasetë ku ishte regjistruar një deklaratë për vetëflijim dhe se personat e dyshuar për komplotin mund të kenë qenë vetëm pak ditë larg zbatimit të planeve të tyre.

Zyrtarët thanë se terroristët ishin gati të fusnin fshehurazi eksplozivë të lëngët në 10 avionë amerikanë që udhëtonin për në qytetet kryesore të Shteteve të Bashkuara, si Uashingtoni, Nju Jorku dhe Los Anxhelesi dhe t’i kryenin shpërthime kur avionët të ishin në fluturim.

Zoti Rid tha se nëse komploti do të ishte realizuar, do të kishte patur humbje të papara jetësh të pafajshme. Zyrtarë të lartë britanikë dhe amerikanë thanë se komploti ishte i ngjashëm me planet e dështuara të al-Kaidës në vitin 1995 për të hedhur në erë një numër avionësh mbi Oqeanin Paqësor.

ARRESTIME EDHE NE PAKISTAN

Pakistani thotë se ka arrestuar 7 persona në lidhje me komplotin terrorist për hedhjen në erë të avionëve të udhëtarëve që fluturonin nga Britania për në Shtetet e Bashkuara.

Zëdhënësja e ministrisë së jashtëme pakistaneze Tasnim Aslam tha dje në Islamabad se arrestimet në Pakistan ishin bërë në koordinim me zyrtarët britanikë.

Ajo tha se arrestimet në të dy vendet erdhën pas bashkëpunimit aktiv në fushën e zbulimit mes Britanisë, Pakistanit dhe Shteteve të Bashkuara. Ministri pakistanez i informacionit tha se ndihma e Islamabadit në zbulimin e komplotit duhet të largojë çdo dyshim rreth angazhimit të vendit të tij në luftën globale kundër terrorizmit.//ii

XS
SM
MD
LG