Lidhje

Roli i NATO-s në Afganistan


Në fund të muajit të kaluar forcat e 26 vendeve anëtare të NATO’s, morën përsipër drejtimin e operacioneve ushtarake në Afganistanin Jugor.

NATO-ja merr pjesë në operacionet ushtarake në Afganistan që nga viti 2003, misioni i parë për këtë organizatë jashtë rajonit euro-atlantik. Objektivi i NATO-s në këtë vend është ruajtja e sigurisë në mënyrë që qeveria afgane të shtrijë autoritetin në të gjithë vendin, si dhe ndihma në punën e rindërtimit.

Fillimisht forcat e NATO-s ishin të pranishme në Afganistanin Verior dhe Perëndimor, si dhe në kryeqytetin Kabul, por duke filluar nga 31 korriku ato morën nën kontroll Afganistanin Jugor i cili më parë kontrollohej nga forcat amerikane.

Ekspertët thonë se kjo do të jetë një detyrë shumë më e vështirë sepse jugu i Afganistanit është baza e Talebanit, i cili u rrëzua nga pushteti nga një koalicion i drejtuar nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2001. Majkëll Uilliams, ekspert britanik për NATO-n dhe Afganistanin, thotë:

“Pikërisht jugu është origjina e Talebanit. Strategjia e forcave të koalicionit ishte të merrnin Kabulin dhe pjesën qëndrore të vendit, duke u përhapur më vonë në pjesët e tjera të Afganistanit. Në këtë mënyrë Talebanët u zhvendosën në jug, ku ndodhet edhe qendra e prodhimit të opiumit, e cila përfaqëson rreth 60 përqind të prodhimit të brendshëm të vendit. Aty Talebanët u organizuan dhe u forcuan duke bashkëpunuar me trafikantët e drogës dhe duke u angazhuar në aktivitete përtej kufirit të Afganistanit, në Pakistan.”

Analistët thonë se gjatë vitit të kaluar ka patur një rimëkëmbje të aktivitetit të Talebanëve në Afganistanin Jugor dhe luftëtarët e tij kanë goditur më fuqishëm forcat e huaja.

Robert Hanter, ish-ambasadori amerikan në NATO, thotë se aleanca përballet me një detyrë shumë të vështirë.

“Megjithë përgatitjen e lartë të trupave, do të jetë e vështirë për forcat e NATO-s të përballojnë këtë detyrë, në një pjesë të izoluar të botës, me një armik i cili përdor taktika të ndërlikuara dhe jashtë standarteve të luftës. Ata do të përdorin të gjitha mënyrat për të dëbuar trupat e NATO-s dhe për të marrë përsëri pushtetin.”

Ndërsa Denis Kuks, ekspert për çështjet afgane pranë Qendrës Ndërkombëtare Udro Uillson, thotë se talebanët kanë një objektiv tjetër.

“Talebanët po vënë gjithashtu në provë aftësinë e NATO-s, duke e krahasuar me atë të forcave amerikane, të cilat kontrollonin zonën më parë. Forcat e NATO-s nuk kanë patur numrin e nevojshëm të helikopterëve dhe deri tani situata nuk është në nivelin që pritej.”

Disa ushtarë të NATO-s janë vrarë që nga kalimi i kontrollit të operacioneve anti-Taleban më 31 korrik. Zoti Kuks thotë se megjithë rrezikun, NATO-ja duhet të triumfojë në misionin e saj në Afganistan.

“Për NATO-n ky është misioni i parë i kësaj natyre. Në rast se ajo dështon, do të dobësohet struktura e përgjithshme, morali dhe besimi tek aleanca.”

Disa analistë mendojnë se misioni i NATO-s në Afganistan do të tensionojë aleancën dhe nëse rreziku rritet, shumë vende do të rishikojnë integrimin e tyre në NATO. Çarls Kupçan ekspert për çëshjet e NATO-s pranë Këshillit për Mardhënie me Jashtë, shton një rrezik tjetër.

“NATO-ja ndoshta po vepron përtej aftësive të saj. Ekziston një rrezik se duke u përpjekur të ndihmojë dhe të përballojë sfidat e shekullit të 21-të edhe përtej kufijve evropianë, NATO-ja në fakt mund të dëmtojë veten nëse nuk është e aftë të përmbushë misionin.

NATO-ja, shton zoti Kupçan, është ende duke kërkuar objektiva të reja pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Ai thotë se ka mendime për të zgjeruar NATO-n duke përfshirë në aleancë Indinë, Australinë dhe Japoninë. Ndërkohë flitet për një rol të mundëshëm të NATO-s në Liban. Por zgjerimi i tepërt mund të shtojë pikëpyetjet nëse aleanca është apo jo në gjendje të përballojë efektivisht të gjitha detyrat për të ndryshuar botën.

XS
SM
MD
LG