Një zjarr i madh në pyjet e pjesës verilindore të Greqisë ka detyruar autoritetet të evakuojnë mbi 1 mijë vetë nga shtëpitë dhe hotelet në zonën bregdetare.
Zyrtarët grekë thonë se një turist gjerman u mbyt kur po përpiqej t'i shpëtonte zjarrit duke u larguar me varkë në brigjet e gadishullit Halkidiki. Mbi 20 vetë u shtruan në spital me probleme të fymarrjes dhe plagë nga djegiet.
Zjarri shpërtheu dje në një pyll në afërsi të qytetit Pylochrono, dhe u përhap nga erërat e forta dhe temperaturat e larta që i kalonin 40 gradë celcius. Mijëra hektarë pyje pishash janë djegur dhe dhjetëra shtëpi janë shkatërruar.
Anijet e rojes bregdetare greke si dhe anije private ndihmuan për të evakuuar banorët dhe turistët.
Mbi 150 zjarrfikës dhe ushtarë të ndihmuar nga mjete fluturimi po përpiqen për të shuar flakët. Greqia preket shpesh nga zjarret e pyjeve gjatë sezonit të nxehtë të verës.