Lidhje

Një raport i fundit paraqet prirje interesante të popullsisë në botë


Popullsia e botës arriti shifrën 6.6 miliardë këtë vit nga 6 miliardë që ishte në vitin 1999. Deri në vitin 2025, studiuesit presin që rreth 8 miliardë njerëz të jetojnë në planetin tonë. 99 përqind e këtyre banorëve do të jetojnë në vendet në zhvillim.

Tre milionë imigrantë lëvizin nga vendet e varfëra në vendet e pasura çdo vit, dhe gjithmonë e më shumë, destinacioni i tyre është një vend fqinjë. Këto statistika vijnë nga një raport vjetor demografik i numrave dhe prirjeve të popullsisë globale, i cili përpilohet nga Zyra për Referencat e Popullsisë.

Rachel Nugent, ekonomiste me grupin studimor, vë në dukje lëvizjet e popullsisë që po ndodhin nga Bangladeshi në Indi apo nga India, Egjipti dhe Jemeni për në Gjirin Persik. Ajo thotë se njerëzit lëvizin brenda vendeve në zhvillim për të njëjtat arsye që ata shkojnë në vendet më të pasura.

“Njerëzit shkojnë nga vendet e varfëra në vende më pak të varfëra, njerëzit largohen nga lufta dhe kofliktet, ata lëvizin për shkak të dendësisë së madhe të popullsisë që krijohet në disa vende ku ka rritje të madhe të popullsisë. Këta njerëz kanë nevojë të shkojnë diku, prandaj ata largohen për të kërkuar punë.”

Imigrimi nga Guatemala për në Meksikë është një shembull konkret.

“Shumë guatemalas shkojnë në Meksikë, ndoshta rreth 25 mijë në vit dhe qëndrojnë aty, ndërsa rreth 100 mijë shkojnë e vijnë. Dhe kjo është një pjesë e madhe e popullsisë së Guatemalës.”

Kombet e Bashkuara parashikojnë se deri në vitin 2050, popullsia e Evropës, e cila ka tani 750 milionë banorë, do të zvogëlohet me 75 milionë, ndërsa Japonia, e cila ka 128 milionë banorë do të humbasë 16 milionë njerëz. Demografi kryesor në Zyrën për Referencat e Popullsisë dhe autor i anketës Karl Haub thotë se një popullsi që zvogëlohet është kërcënim për gjendjen ekonomike.

“Numri i të rinjve në shumë vende evropiane është sa gjysma e numrit të brezit të prindërve të tyre. Pra ajo që shihet tani janë korporatat dhe sistemi i shëndetit që thonë “dëgjoni, ne nuk mund të gjejmë punëtorë. Ne nuk kemi pasur punëtorë të majftueshëm, por tani nuk mund të gjejmë asnjë.” Prandaj ato do të duhet të vijnë nga një vend tjetër.”

Statistika për popullsinë globale tregon se pavarësisht se përhapja e Sidës është më e ulët seç mendohej, ajo vazhdon të mbetet shumë e përhapur në disa vende nën-Sahariane të Afrikës. Në të njëjtën kohë vijnë lajme zhgënjyese rreth përpjekjeve për të rritur higjenën dhe ujin e pastër të pijshëm, siç është kërkuar nga Kombet e Bashkuara.

Ekonomistja Rachel Nugent thotë se kjo çështje është një nga shenjat e reja të mjedisit që janë futur në anketën e këtij viti.

“Mund të shohim se në disa zona rurale në vendet në zhvillim dhe në disa pjesë të Afrikës dhe Azisë nuk ka shumë kushte të përshtatshme higjenike. Kjo çështje duhet të trajtohet. Çështja tjetër ka të bëjë me tokën që mbrohet për shkak të bimëve dhe kafshëve, për banorët vendas dhe njerëzit e tjerë që jetojnë rreth e rrotull.”

Autori i raportit Karl Haub thotë se Statistika për Popullsinë e Botës është bërë për të rritur ndërgjegjësimin e publikut dhe zyrtarëve publikë.

“Statistikat janë të qarta dhe çështja qëndron gjithmonë nëse politikanët do t’u kushtojnë vëmendje atyre. Mndoj se disa nga problemet me parashikimet janë se ato kanë të bëjnë me një të ardhme të largët. Ndërsa politikanët nuk duan të shohin përtej zgjedhjeve të ardhshme.”

Zoti Haub thotë se kjo është diçka që politikanët duhet ta trajtojnë herët a vonë.

XS
SM
MD
LG