Lidhje

Analistët për faktorët që ndikojnë në çmimet e naftës


Në fund të javës së kaluar çmimet e naftës ranë për një kohë të shkurtër nën 67 dollarë për fuçi, pjesërisht edhe falë zbulimit të një fushe nafte në pjesën amerikane të Gjirit. Analistët e energjisë thonë se një numër faktorësh përfshirë rënien e tensioneve për ambiciet bërthamore të Iranit dhe rritjen e rezervave amerikane të energjisë kontribuan në uljen e çmimeve të naftës në nivelin më të ulët që prej gjashtë muajsh.

Fundi i sezonit të ngarkuar me trafik të verës, zhvillimet pozitive në Lindjen e Mesme, si edhe një sezon jo shumë i rënduar uraganësh patën rol në uljen e çmimeve të karburantit në nivelet më të ulëta që nga pranvera. Tregtari i naftës në New York Ira Eckstein: “Nuk kemi parë nivele të tilla që nga marsi. Fakti që uragani Ernesto nuk e preku fare zonën e Gjirit të Meksikës ishte shumë pozitiv. Afati për Iranin erdhi dhe iku. Forca blerëse që e çoi çmimin në 77 dollarë për fuçi nuk është më. Kështu tregu është çliruar disi”.

Është një lehtësim që u ndihmua pjesërisht nga zbulimi i një fushe naftëmbajtëse në Gjirin e Meksikës, 280 kilometra nga bregu i Luizianës. Tre kompani me në krye firmën amerikane Chevron llogarisin që fusha e naftës mund të ketë deri në 15 miliardë fuçi nafte dhe gazi. Paul Siegele, kreu i njësisë së Eksplorimeve nën ujë të Chevronit thotë se kjo sasi është e mjaftueshme për t’i shtuar rezervat amerikane me mbi 50 për qind. “Është lajm i mirë për Chevronin, për industrinë dhe për Shtetet e Bashkuara”. Është një lajm i mirë edhe për punëtorët e sondave të naftës. Randy Bonin, kreu i Kantierit Detar në Portin Arthur të Teksasit thotë se ky zbulim mund të hapë deri në 300 vende të reja të botës. “Do të ketë efekt në ekonominë lokale. Ne jemi një zonë detare këtu në Teksasin jug-lindor në jugperëndim të Luizianës, kështu që të gjithë do të mund të përfitojmë. Nuk bëhet fjalë vetëm për këtë industri, por edhe për strehimin, hotelet, restorantet”.

Megjithë potencialin ekonomik të fushës naftëmbajtëse Robin West, kryetari i Kompanisë konsultative të energjisë PFC thotë se ky zbulim nuk është i mjaftueshëm për t’i çliruar Shtetet e Bashkuara nga varësia nga nafta e huaj. “Kjo nuk e zgjidh absolutisht problemin e varësisë së Amerikës. Por do të thotë që nafta në treg do të shtohet dhe që do të vijë nga vende të sigurta”. Ekspertët thonë se mund të duhen deri në pesë vjet para se nafta të arrijë në treg. Por investitorët thonë se është një zbulim i rëndësishëm në një kohë kur tregjet e energjisë botërore janë në gjendje të vështirë.

XS
SM
MD
LG