Lidhje

Tiranë: Opozita proteston për çështjen "Albatros"


Forcat politike të opozitës zhvilluan të mërkurën në Tiranë një tubim proteste kundër presioneve që, sipas tyre, po i bëhen presidentit Alfred Moisiu, për shkarkimin e prokurorit të përgjithshëm, duke përdorur pezullimin e veprimtarive të kompanisë ajrore "Albatros", pronë e familjarëve të tij.

Organizatorët publikuan në altoparlant pjesë nga një bisedë e përgjuar midis përfaqësuesve të kompanisë ajrore dhe të ministrisë së transporteve ku, sipas politikanëve të majtë, vërtetohen këto presione. Kryetari i PS, Edi Rama kërkoi shkarkimin nga detyra të ministrit të transporteve dhe të drejtorit të aviacionit për t'i hapur rrugën hetimeve të drejtësisë.

"Çimkat (aparatet regjistrues) duhet të dëgjohen, siç dëgjohen në cdo vend demokratik, ku qeveria do të kishte rënë dhe ku kryeministri minimalisht do të kishte kërkuar një falje të madhe. Ky është një presion mafioz, të cilin gjithë shqiptarët e kanë dëgjuar dhe po e dëgjojnë, ndërkohë që kryeministri mbyll veshët dhe përpiqet ta devijojë këtë në një histori borxhesh. Edhe ajo është në vete një histori e goditjes selektive ndaj biznesit, por këtë radhë me një sfond tërësisht mafioz, që për ne është tërësisht i papranueshëm" - tha zoti Rama.

Protesta e opozitës zhvillohej pothuaj në të njëjtën kohë me mbledhjen e qeverisë. Kryeministri Sali Berisha përshëndeti me dy gishta lart për disa çaste protestuesit e majtë nga ballkoni i Kryeministrisë.

Qeveria diskutoi në mbledhje rreth projekt-buxhetit të shtetit të vitit 2007, i cili është vlesëruar pozitivisht edhe nga FMN. Sipas zotit Berisha, projekt-buxheti parashikon ulje të tjera taksash dhe rritje të tjera pagash dhe pensionesh. Ai tha se shëndetësia dhe arsimi janë në qendër të vëmendjes së buxhetit dhe do të përfitojnë rritje pagash 15-20%. Zoti Berisha tha se pagat dhe pensionet do të rriten në mënyrë periodike për të shtuar dinjitetin e nepunësve dhe për të lehtësuar jetesën e të moshuarve.

Në fund të mbledhjes, kryeministri Berisha u kërkoi gazetarëve të pranishëm që të shkonin për të ndjekur nga afër protestën e opozitës që mbahej poshtë dritares së kryeministrisë.

Çështja Albatros u vu në qendër të debateve politike pas publikimit në shtyp të bisedave të drejtorit të avicionit civil me pronarët e kompanisë, familjarë të Presidentit Moisiu, sipas të cilave në këmbim të heqjes së pezullimit të fluturimeve kërkohej shkarkimi i kryeprokurorit nga ana e kreut të shtetit.

XS
SM
MD
LG