Lidhje

Në librin e saj të ri, ish-Sekretarja e Shtetit Albright analizon rolin e fesë në politikë


“The mighty and the almighty”- “I fuqishmi dhe i plotfuqishmi”, është libri i dytë që ka shkruar ish-Sekretarja amerikane e Shtetit Madeline Albright, që nga koha e largimit të saj nga ky post. Në librin e saj të ri, zonja Albright argumenton se formuluesit e politikave duhet të kuptojnë rolin e fesë kur analizojnë situatën në vende të ndryshme të botës dhe se në rast konfliktesh, feja duhet të luajë një rol për nxitjen e paqes dhe jo acarimin e mëtejshëm të konfliktit. Zonja Albright foli për librin e saj në një diskutim në Institutin e Paqes.

Në librin e saj, zonja Albright përmend një sërë konfliktesh të së kaluarës dhe të sotme, duke analizuar rolin që ka patur feja në to. Ajo i bën një rivlerësim politikës së jashtme amerikane, duke vërejtur se në të kaluarën diplomacia amerikane nuk i ka kushtuar rëndësinë e duhur këtij roli, sot, në kushtet kur ekzistojnë një sërë konfliktesh në Lindjen e Mesme, ku elementi fetar është i pranishëm, politika e jashtme amerikane duhet të kete kurdohere parasysh rolin e fesë në trajtimin që i bën konflikteve.

Në këtë kuadër, zonja Albright thotë se shpeshherë konflikteve rajonale, qëllimisht i janë dhënë nuanca fetare. Si shembull, ajo përmend luftën në Kosovë. Sllobodan Miloseviçi, thotë zonja Albright, i kishte thëne ne ato vite, se populli i tij kishte luftuar në shekuj për të mbrojtur “Evropën e Krishtere”, megjithëse, shton ajo, burimi i konfliktit, ashtu sikurse edhe në luftrat kundër Sllovenisë, Bosnjes dhe Kroacisë, ishte në fakt shthurja e ish-Jugosllavisë.

Zonja Albright megjithatë, shton se në të vërtetë, ekziston një partneritet midis fesë dhe politikës, por kur shfrytëzohet siç duhet, ai mund të jetë një forcë pozitive për drejtësinë dhe paqen.

Zonja Albright thotë se trashëgimia fetare duhet të merret parasysh në konflikte të ndryshme aktuale, si ai mes izraelitëve dhe palestinezëve, apo konflikti mes sunive dhe shiitëve në Irak. Ndërsa ajo veren se udhëheqësit fetarë nuk duhet të jenë të pranishëm në tryezën e bisedimeve për zgjidhjen e konflikteve, ajo shton se ata duhet të luajnë rolin e tyre për t’i bashkuar njerëzit dhe jo për t’i perçare ata. Në këtë kontekst, zonja Albright thotë se nuk është aspak dakord me rolin që po luan Peshkopi Artemije në çështjen e Kosovës.

“Unë mendoj se udhëheqësit fetarë duhet të synojnë t’i bashkojnë njerëzit dhe jo t’i ndajnë ata; kam lexuar së fundi se peshkopi Artemije, të cilin e kam takuar dhe kam shkuar në Manastirin e tij, po përpiqet të pengojë përpjekjet për pavarësinë e Kosovës, dhe si për t’i rënduar problemet edhe më tej, ai ka vendosur tani lidhje me disa priftërinj evnagjelistë në SHBA, për të krijuar mbështetje për këto çështje. Veprime të tilla nuk duhet të ndodhin, udhëheqësit fetarë duhet të ndihmojë që njerëzit ta kuptojnë fenë dhe bazën fetare të një argumenti, sepse kështu mund të ndihmohet në zgjidhjen e konfliktit”.

Zonja Albright flet për rëndësinë e bashkëpunimit mes feve të ndryshme, kur ato janë bashkëjetojnë në një vend, duke theksuar nevojën e respektit reciprok mes tyre. Përsëri ajo i referohet Ballkanit dhe Kosovës.

“Kur isha në Kosovë gjatë konfliktit, pashë xhami të shkatërruara, të rrethuara me tela me gjemba. Por fatkeqësisht në udhëtimit tim më të fundit atje, pashë se kishte ndodhur e kunderta: pashë kisha të shkatërruara dhe të rrethuara me tela. Zonja Albright shton se ndërsa duhet punuar më tepër në drejtim të mirëkuptimit të feve në Ballkan, ka edhe raste pozitive të përpjekjeve të bashkëpunimit. Ndryshe nga peshkopi Artemije, thote ajo, At Sava luan nje rol pozitiv në Kosovë.

Duke mbrojtur kurdohere idenë se fetë e ndryshme kanë shumë gjëra të përbashkëta në thelb, sic eshte predikimi i paqes, dashurisë dhe i ndërgjegjes shoqërore, zonja Albright arrin në përfundimin se feja mund të bëhet një forcë shtytëse për lirinë dhe tolerancën në botë.

XS
SM
MD
LG