Lidhje

Shqipëri: Banka Botërore komenton për ekonominë informale


Qeveria shqiptare bëri sot të ditur se po studjon me hollësi ekonominë informale të vendit për të bërë sa më të efektshme përpjekjet kundër informalitetit.

Konferenca e parë kombëtare për reduktimin e informalitetit po ndiqet me mjaft interesim edhe nga mjaft përfaqësues të organizmave ndërkombëtare, si FMN dhe Banka Botërore.

Përfaqësuesi i Bankës Botërore në Tiranë, Dr. Nadir Mohamed thotë se Shqipëria duhet të studiojë me vëmendje informalitetin e ekonomisë së saj për të bërë të mundur ndryshimin e situatës.

"Është shumë e rëndësishme të studiohet me kujdes dhe të gjenden shkaqet përse informaliteti në Shqipëri mbetet i lartë, në mënyrë që të adoptohen politika kundër tij. Informaliteti në Shqipëri është në nivele shumë të larta. Sipas disa studimeve ai është 30 për qind dhe në disa studime të tjera rreth 60 për qind. Informaliteti disa vite më parë ka qenë shumë më i lartë sesa tani, por trajtimi i kësaj cështjeje tregon vëmendjen që qeveria ka ndaj kësaj dukurie" - thekson zoti Mohamed.

Thjeshtimi i burokracive në regjistrimin e bizneseve, vetëdeklarimi i ndërtimeve pa leje dhe i punonjësve të firmave për të paguar sigurimet shoqërore, janë vetëm disa nga fushat ku po punohet për të ulur informalitetin e ekonomisë shqiptare.

"Qeveria shqiptare ka marrë disa masa të rëndësishme kundër informalitetit; së pari, është reduktimi i taksës së sigurimeve shoqërore. Mendoj ,- thotë shefi i Bankës Botërore për Shqipërinë,- se kjo është arsyeja kryesore që njerëzit punojnë në të zezë, sepse niveli i kontributit të sigurimeve shoqërore ishte 42 për qind dhe kjo ishte një taksë shumë e lartë, praktikisht më e larta, e cila i shtynte njerëzit drejt informalitetit. Pra, ulja e këtij kontributi është një hap në drejtimin e duhur.

Sipas zotit Mohamed të Bankës Botërore, po përmirësohet ndërkaq edhe regjistrimi i bizneseve, licensat merren me lehtë dhe pa ryshfetet e njohura në vitet e kaluara, ndërsa mundësia për të marrë kredi po rritet dhe gradualisht këto masa do të sjellin uljen e informalitetit; dhe për të gjitha këto hapa që ka marrë qeveria shqiptare ka mbështetjen konkrete të gjithë partnerëve ndërkombëtarë.

Organizata Evropiane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (OSBE) konstatoi disa muaj më parë një shkallë të lartë informaliteti në ekonominë shqiptare, deri në afro 60 për qind, pasi vëzhgoi nivelin e pagimit të taksave në Shqipëri. Ekspertët e ekonomisë besojnë se problemi më i madh në këtë fushë është regjistrimi i të punësuarve në të zezë dhe pagimi i taksës së vlerës së shtuar.

XS
SM
MD
LG