Lidhje

Ndikimi i tregtisë së naftës në marrëdhëniet SHBA-Venezuelë


Retorika e ashpër ndërmjet Venezuelës dhe Shteteve të Bashkuara arriti nivele të larta muajin e fundit, kur presidenti venezuelian, Hugo Chavez, e quajti Presidentin Bush “djalli” dhe “diktator i botës” gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Por, megjithë shkallëzimin e tensioneve diplomatike, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë konsumatori numër një i naftës venezuelase - një marrëdhënie tregëtare që duket se do të vazhdojë.

Presidenti venezuelas i shtangu të gjithë diplomatët në OKB me fjalimin e tij më 20 shtator, një ditë pasi Presidenti Bush foli nga i njëjti podium. “Djalli ishte dje mu këtu dhe era e squfurit vazhdon të kundërmojë edhe sot. Pretendimet hegjemonike të perandorisë amerikane po rrezikojnë vetë mbijetesën e racës njerëzore”.

Ligjëvënës amerikanë nga të dy partitë e dënuan fjalimin, si dhe komente të tjera të Chavezit, që e përshkroi zotin Bush si të alkolizuar dhe të çmendur. Administrata Bush nuk bëri shumë komente. Deborah McCarthy është bashkërenduesja e posaçme e Departamentit amerikan të Shtetit për Venezuelën. “Mendojmë se këto fjalë nuk meritojnë përgjigje dhe as të bëhen pjesë e diskutimit”.

Analistët thonë se zoti Chavez ndjehet më i fortë për hir të statusit të Venezuelës si eksportuesja e pestë për nga sasia dhe nga të ardhurat e naftës që kanë arritur nivele tepër të larta vite të fundit. Po sikur marrëdhëniet dypalëshe vazhdojnë të keqësohen, a do ta shqyrtojë administrata Bush mundësinë e bojkotimit të naftës së papërpunaur venezuelase? Zonja Mccarthy e minimizon një mundësi të tillë. “Tregu i naftës është privat në Shtetet e Bashkaura, pra, administrohet nga sektori privat. Privatët marrin vendime nga duan të importojnë. Dhe sigurisht që vlerësojnë rrezikun, koston etj.”

Presidenti Chavez e ka akuzuar administratën Bush se ka komplotuar për përmbysur dhe ka kërcënuar të ndërpresë shitjet e naftës Shteteve të Bashkuara. Por një vendim i tillë do të ishte vetëvrasje ekonomike, sipas Riordan Roett, profesor në universitetin Johns Hopkins. “Venezuela do ta kuptonte shumë shpejt se nuk ka asgjë tjetër për të eksportuar dhe nafta e saj është eksporti më i lehtë i saj në tregun amerikan”.

Megjithëkëtë, zoti Chavez është zotuar të ulë varësinë e Venezuelës në dollarët që vijnë nga shitja e naftës dhe ta zhvendosë eksportin drejt Kinës. Shumica e analistëve, përfshirë ish-drejtorin e kompanisë Venezuelan Petrolum, Jose Toro Hardy, janë skeptikë. “Më shumë se 75 për qind e rezervave të vërtetuara të Venezuelës është naftë me përqindje të lartë squfuri dhe matalesh. Vetëm pak rafineri në botë janë të gjendje ta përpunojnë këtë lloj nafte dhe, në fakt, në Kinë nuk ka asnjë të tillë”.

Megjithatë, administrata Bush e ka shqyrtuar tashmë mundësinë e një të ardhmeje pa naftën venezuelase. Një raport i dalë në qershor del në përfundimin se, sikur Presidenti Chavez të priste eksportin e naftës, çmimet e benzinës në Amerikë do të kapnin nivele tepër të larta, por vetëm për pak kohë derisa furnizuesit e tjerë të mbushnin boshllëkun.

Raporti del në përfundimin se efekti afatgjatë në ekonominë amerikane do të ishte minimal. Administrata Bush thotë se zyrtarët venezuelas gabojnë, nëse beosjnë se Shtetet e Bashkuara mund të frikësohen nga kërcënimet për prerjen e naftës. Përsëri bashkërenduesja e Departamentit të Shtetit, Deborah McCarthy. “Është e qartë se Venezuela ka më shumë nevojë për Amerikën se kjo e fundit për të”. Megjithatë, ekspertë të energjisë thonë se Shtetet e Bashkuara do të tregoheshin të mënçura po të pakësonin konsumin e hidrokarbureve.

XS
SM
MD
LG