Lidhje

Mirëinformimi i qytetarëve ndihmon në luftën kundër korrupsionit


Ekspertët thonë se ekziston gjithmonë dikush që përdor pozitën në shërbim të interesit të tij personal, por media e lirë dhe gjykatat e pavaruara mund të ndihmojnë për ta luftuar këtë fenomen. Ata thonë se kur qytetarët janë të mirëinformuar, ata janë në gjendje të sjellin ndryshime edhe në këtë aspekt.

Pothuajse çdo ditë lajmet flasin për zyrtarë qeveritarë që akuzohen për korrupsion. Ata mund të jenë përpjekur të përdorin postin për përfitim personal ose për të fshehur ndonjë veprim të paligjshëm. Një përdorim i tillë i pushtetit quhet korrupsion dhe ai mund të marrë shumë forma. Ai mund të përshkruhet si një sistem që nuk funksionin siç duhet, ose kur një funksionar shteti shkel rregullat etike në shërbim të interesit personal.

Njëra nga format e korrupsionit është mitëmarrja. Ekspertët vlerësojnë për shembull se rryshfetet në botë arrijnë çdo vit deri në më shumë se 1 miliardë dollarë.

Ndër format e tjera të korrupsionit janë nepotizmi, ose favorizimi i personave të familjes apo miqve, falsifikimi i regjistrave të biznesit, ose shkëmbimi i aksioneve të bursës duke u bazuar tek informacione sekrete.

Luiz Shelli punon për Qendrën e Krimit dhe Korrupsionit Ndërkombëtar, pranë Universitetit Amerikan, në Uashington. Ajo thotë se korrupsioni është një problem i madh në vendet e varfëra me një ekonomi të dobët. Ajo shpjegon se vendet, ekonomia e të cilave varet nga një burim natyror i vetëm janë më në rrezik sepse një numër i vogël njerëzish kontrollojnë të ardhurat e burimit.

Zonja Shelli thotë se korrupsioni mund të luftohet nëpërmjet instituteve të forta publike dhe private, si gjykata të pavarura dhe mjete të lira informimi.

Bizneset kanë gjithashtu ndikimin e tyre. Ekspertja e korrupsionit, Nensi Brosuell, pranë organizatës Transparency International, thotë se veprimet e bezneseve kanë efekt deri tek njerëzit më të varfër. Sipas kësaj organizate, Islanda është në vendin e parë si shteti më i pakorruptuar, ndërsa Çadi ndodhet në vendin e fundit të listës me 159 shtete si vendi me korrupsion më të lartë.

Disa ekspertë thonë se korrupsioni në botën e biznesit është më i shpeshtë se mendohet. Bankieri Uang Shye-bing dikur konsiderohej si nismëtar në përpjekjet për modernizimin e Kinës. Tre vjet më parë ai u gjet fajtor për mitëmarrje, u dënua me 12 vjet burg dhe u dënua me 20 milionë dollarë gjobë.

Kimberli Elliot, e cila ka shkruar një libër mbi korrupsionin në botën ekonomike, thotë se është e pamundur të llogariten përmasat e vërteta të korrupsionit. Por efekti në vendet e varfra është i dukshëm.

Rryshfeti është problem i madh në Indi. Organizata Transparency International thotë se indianët paguan shuma maramendëse vitin e kaluar në formë rryshfetesh. Ato janë dhënë në shërbimet shëndetsore, policore dhe të tjera. 62 përqind e indianëve të pyetur thonë se kanë paguar rryshfet ndërsa 75 përqind mendojnë se situata po keqësohet. Si rezultat India ka filluar një fushatë anti-korrupsioni dhe ligjvënësit kanë miratuar masa që e bëjnë më të lehtë për popullin të informohet mbi shpenëzimet qeveritare.

Në Meksikë paratë e drogës kanë ndikuar në përpjekjet qeveritare për reforma dhe në sistemin juridik. Eksperti i drejtësisë Xhorxh Çabat, thotë se korrupsioni në Meksikë e ka zanafillën që në periudhën koloniale. Tregëtia ilegale e drogës vetëm se e ka rënduar problemin.

Udhëheqësit ndërkombëtarë të biznesit konsiderojnë Hong Kongun si një nga vendet më pak të korruptuar. Hong Kongu ka patur më parë probleme me korrupsionin por gjendja ndryshoi pas protestave të vitit 1973 që detyruan qeverinë koloniale britanike të veprojë. U krijua një grup për hetimin e rasteve të korrupsionit. Nga fundi i viteve 70-të korrupsioni ishte përgjysmuar.

Me korrupsionin përballen edhe vendet e Evropës Lindore. Banka Botërore thotë se disa nga këto vende kanë shënuar përmirësime dhe sipas një raporti të saj, vendet që kanë kryer reformat më të theksuara të tregut janë ato që kanë shënuar më shumë sukses. Sllovakia dhe Estonia janë shembuj suksesi.

Në raport përmenden si raste keqësimi, Shqipëria dhe Kirgizia. Rusia, Serbia dhe Maqedonia kanë bërë një përparim të vogël. Mundësia për anëtarësimin në Bashkimin Evropian është një mënyrë për të luftuar korrupsionin, si në rastin e Rumanisë dhe Bullgarisë.

Presidenti i Bankës Botërore, Pol Ullfovitz, e cilëson korrupsionin si pengesën më të madhe për zhvillimin. Që nga ardhja e tij në detyrë vitin e kaluar korrupsioni është në shënjestrën e institucionit botëror. Banka Botërore ka pezulluar ose vonuar borxhet për Çadin, Bangladeshin dhe Indinë, pas zbulinmit të aktiviteteve të korrupsionit në këto vende.

Disa shqetësohen se duke bërë përpjekje të mëdha për të luftuar korrupsionin do të mbeten pa ndihmë shumë njerëz në nevojë. Por Banka Botërore thotë se do të tërhiqet nga projektet vetëm në ato raste kur është e qartë se zyrtarët e pandershëm nuk janë të interesuar për reforma.

XS
SM
MD
LG