Lidhje

Kërkimet me qeliza embrionale - ndër temat kryesore në zgjedhjet për Kongresin amerikan


Në prag të zgjedhjeve për Kongresin në Shtetet e Bashkuara, që mbahen javën e ardhshme, kandidatët e secilës parti përpiqen që të tërheqin votuesit me reklama për çështje që mund të jenë me interes për ta. Një nga këto reklama në favor të kërkimeve me qeliza embrionale synonte të përcillte një mesazh të rëndësishëm që u mjegullua nga deklaratat e një komentatori të njohur amerikan të radios.

Aktori i Hollivudit Michael J. Fox po bën fushatë në emër të politikanëve që janë në favor të kërkimeve me qeliza embrionale, të cilat mund të rezultojnë në të ardhmen në kura për sëmundjen e parkinsonit, në formën e avancuar që ka prekur atë. “Siç mund ta dini, mua më interesojnë shumë kërkimet me qeliza embrionale. Në Missouri mund të zgjidhni Claire McCaskill e cila ka të njëjtën shpresë si unë për një kurë. Fatkeqësisht, senatori Jim Talent e kundërshton zgjerimin e kërkimeve me qeliza embrionale. Senatori Talent madje donte ta bënte vepër penale shkencën që na jep ne mundësinë të shpresojmë,” thotë aktori në reklamë.

Senatori republikan Talent po bën fushatë në Missouri për t’u rizgjedhur në senatin amerikan. Ai i kundërshton kërkimet federale me qeliza embrionale, duke thënë se kjo përfshin vrasjen e një embrioni njerëzor, gjë që dhunon shenjtërinë e jetës. Përkrahësit e kërkimeve thonë se ato mund të arrijnë të shpëtojnë jetët e njerëzve me sëmundje të rënda. Komentatori konservator i radios Rush Limbaugh hyri në këtë debat duke sulmuar personalisht Michael J. Fox.

“Në këtë reklamë ai e ekzagjeron efektin e sëmundjes. Ai lëviz rreth e rrotull dhe dridhet. Ai duket që po luan një rol,” u shpreh komentatori konservator.

Por lëvizjet e Fox-it nuk janë interpretim, por simptomat e parkinsonit. Limbaugh kërkoi falje pasi pjesëtarë të audiencës së tij telefonuan për t’u ankuar. Edhe një komentator tjetër konservator i radios, Sean Hannity, thotë se reklama e Michael J. Fox është mashtruese.

“Kjo ka të bëjë me financimin federal të kërkimeve me qeliza embrionale. Kërkimet me qeliza embrionale janë të ligjshme në Mussouri, po financohet dhe po bëhet në universitetet shtetërore, dhe kjo nuk thuhet në reklamë,” tha komentatori Hannity.

Kongresi republikan nuk arriti të hidhte poshtë veton e presidentit Bush në muajin korrik vetëm për pak vota. Projektligji do të zgjeronte financimin publik të kërkimeve me qeliza embrionale. Financimet private janë të ligjshme. Ata që janë në favor të kërkimeve të tilla, si Michael J. Fox, po bëjnë fushatë për kandidatët që do të ndihmonin në krijimin e një shumice prej dy të tretash në kongres që do të miratonte legjislacionin, të cilit iu vu vetoja.

XS
SM
MD
LG