Lidhje

Portret i kandidatit për postin e Sekretarit amerikan të Mbrojtjes


Robert Gejts, kandidati që ka emëruar Presidenti Bush për postin e Sekretarit të ri të Mbrojtjes, ka qenë drejtor i CIA-s me një përvojë dhjetra vjeçare në fushën e sigurisë kombëtare. Ai ka qenë gjithashtu president i një universiteti të madh në shtetin e Presidentit Bush, Teksas.

Robert Gejts e filloi karrierën me CIA-n në vitin 1966 si punonjës i thjeshtë. Në 25 vjetët që pasuan, zoti Gates shërbeu për gjashtë presidentë, si republikanë ashtu edhe demokratë dhe arriti të bëhej drejtor i CIA-s nën presidentin e parë George Bush, babai i presidentit aktual.

Pasi la detyrën si drejtor i CIA-s që e mbajti nga viti 1991 në vitin 1993, ai u largua nga karriera në qeveri për të punuar në Universitetin e Teksasit A&M, i shtati më i madhi në Shtetet e Bashkuara. Ai filloi si dekan i Fakultetit të Shërbimit Publik George Bush dhe më pas u bë president i Universitetit.

Kur deklaroi emërimin e tij, Presidenti Bush vlerësoi aftësitë e tij drejtuese dhe për të punuar përtej linjave partiake.

“Ai është një njeri me integritet, qartësi dhe gjykim të fortë. Ai e di se sfida për mbrojtjen e vendit është më e madhe se çdo parti politike. Dhe ai ka bashkëpunuar në të kaluarën me udhëheqës nga të dyja anët e politikës për të forcuar sigurinë tonë kombëtare.

Zoti Gejts tha se nuk e kishte menduar se do t’i kthehej jetës publike derisa presidenti ia kërkoi një gjë të tillë.

“Duke qenë se interesat tona afatgjata strategjike dhe siguria jonë kombëtare janë të rrezikuara dhe shumë nga bijtë dhe bijat amerikane e kanë jetën në rrezik, nuk ngurrova kur presidenti më kërkoi t’i rikthehem detyrës”.

Presidenti Bush e emëroi zotin Gates pak pasi deklaroi dorëheqjen e Sekretarit të Mbrojtjes Donald Rumsfeld.

Udhëheqësja e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve Nancy Pelosi që pritet të bëhet Kryetarja e kësaj dhome e përshëndeti këtë ndryshim.

“Mendoj se do të jetë një fillim i ri për gjetjen e një zgjidhjeje në Irak dhe jo duke vazhduar në rrugën e tanishme”.

Gjatë kohës kur ishte Sekretar Mbrojtjeje, zoti Rumsfeld ishte konsideruar si i ashpër dhe problematik.

Zoti Gates, nga ana tjetër është krejt ndryshe, sipas Profesores Anna Nelson, historiane e Universitetit Amerikan.

“Gjithkush që e ka ndërtuar karrierën e tij në CIA është i kujdesshëm dhe jo i bujshëm”.

Presidenti Bush nuk është i pari që e ndryshon Sekretarin e Mbrojtjes në kohë lufte. Në vitet 1960, Presidenti Lyndon Johnson zëvendësoi Robert MacNamarën me Clark Cliffordin në kohën e Luftës së Vietnamit.

“Nuk është e pazakontë që Presidenti të gjejë dikë tek i cili ka besim, tek besnikëria e të cilit të jetë i sigurt dhe që me të vërtetë do të ndihmojë për të ndryshuar drejtim”.

Zoti Gates mund ta ndihmojë presidentin të ndryshojë drejtim. Ai ka qenë anëtar i një grupi studimi për Irakun, një komision dypartiak i drejtuar nga ish-Sekretari i Shtetit James Baker dhe e ka shprehur publikisht kundërshtimin e tij për politikat e Presidentit Bush në Iran.

Emërimi i zotit Gates duhet të konfirmohet nga Senati amerikan. Seancat fillojnë më 4 dhjetor.

XS
SM
MD
LG