Lidhje

Elez Biberaj emërohet drejtor për Euroazinë në Zërin e Amerikës


Drejtori i Zërit të Amerikës Dave Austin, njoftoi se Elez Biberaj u emërua Drejtor i Divizionit të Euroazisë.

Si Drejtor Divizioni, zoti Biberaj është përgjegjës për planifikimin, drejtimin dhe hartimin e programeve të Zërit të Amerikës për shërbimet ruse, ukrainase, shqipe, boshnjake, kroate, greke, maqedonase dhe serbe.

Elez Biberaj filloi punë në shërbimin shqip të Zërit të Amerikës në vitin 1980. Në vitet 1982-1986, ai punoi në sektorin e shtypit të Agjencisë Amerikane për Informacion (USIA) i specializuar për çështjet sovjetike dhe të Evropës Lindore. Zoti Biberaj u kthye në Zërin e Amerikës, si shef i shërbimit shqip, në vitin 1986 dhe për 18 vjet kontribuoi për ta kthyer këtë shërbim në një prej sektorëve më të suksesshëm të Zërit të Amerikës. Ai u emërua Redaktor Përgjegjës i Divizionit të Euroazisë në vitin 2004 dhe një vit më pas u bë drejtor i përkohshëm.

Në rolin e tij drejtues në Divizionin e Euroazisë, zoti Biberaj ndihmoi për hartimin e strategjive të reja që kanë mundësuar shfrytëzimin e teknologjive të reja për përmirësimin e programeve ekzistuese në një mjedis gjithnjë e më konkurent të medias. Përvoja dhe njohuritë e tij për rajonin e Euroazisë dhe politikën e jashtme amerikane, janë të njohura jo vetëm brenda, por dhe jashtë Zërit të Amerikës. Në shumë raste, ai është ftuar nga Departamenti i Shtetit, nga Këshilli i Sigurimit Kombëtar, nga agjenci të tjera të qeverisë amerikane, institucione akademike, organizata jo-qeveritare dhe organe shtypi, për të marrë pjesë në konferenca, debate, e shkëmbime mendimesh në kuadër të hartimit të politikave.

Elez Biberaj mban titullin e Doktorit të Shkencave Politike nga Universiteti i Kolumbias në Nju Jork. Ai është autori i tre librave për Shqipërinë dhe kontribues kapitujsh për disa të tjerë. Zoti Biberaj është zgjedhur Punonjësi i Vitit i Zërit të Amerikës më 2000 dhe është nderuar me Çmimin për Arritje Jetësore nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan në vitin 2005 për shkrimet e tij akademike dhe për “dhënien e lajmeve të sakta e të paanshme për shqiptarët gjatë punës së tij”. //rd//

XS
SM
MD
LG