Lidhje

Bashkimi Evropian pranon zgjerimin por me standarte të rrepta


Udhëheqësit e Bashkimit Evropian rikonfirmuan vendosmërinë e tyre për të vazhduar procesin e zgjerimit por duke vendosur në të njëjtën kohë standarde të rrepta për vendet kandidate.

Në përfundim të takimit dyditor në Bruksel, ata theksuan nevojën për të reformuar traktatin e qeverisjes së organizatës dhe për të rishikuar kushtetutën e Bashkimit Evropian pasi ajo u hodh poshtë vitin e kaluar nga votuesit francezë dhe holandezë.

Presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso shprehu besimin për ripërtëritjen e procesit kur Gjermania të marrë kryesinë e radhës në vitin 2007. Udhëheqësit e Bashkimit Evropian e miratuan vendimin e ministrave të jashtëm për të pezulluar përkohësisht bisedimet e anëtarësimit me Turqinë pasi Ankaraja nuk i ka normalizuar marrëdhëniet tregëtare me Qipron. Ata theksuan se Turqia dhe kandidatë të tjerë të rinj duhet t’i plotësojnë të gjitha kriteret për anëtarësim.

Bullgaria dhe Rumania do të anëtarësohen në organizatën evropiane më 1 janar. Por kandidatë të tjerë përfshirë Shqipërinë, Kroacinë, Serbinë dhe Maqedoninë duhet të presin deri sa vendet e Bashkimit Evropian të miratojnë reforma strukturale. Udhëheqësit përmendën në mënyrë të veçantë rëndësinë e bashkëpunimit të Serbisë me gjykatën e Hagës si kusht për afrimin me Bashkimin Evropian.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian vazhdojnë të kenë mosmarrëveshje mbi rrugët e reformimit të Kushtetutës së Bashkimit para se numri i vendeve anëtare të arrijë në 27 janarin e ardhshëm. Kancelarja gjermane AngelaMerkel shprehu megjithatë optimizëm, në prag të takimeve të reja. "Ekziston një atmosphere shumë e mire që do të ndihmojë në zgjidhjen e disa problemeve. Besoj se Gjermania nuk do të mbetet e vetme por do të jemi në gjendje të mbështetemi në bashkëpunimin miqësor të vendeve të tjera anëtare,” tha Merkel.

Gjermania e merr kryesinë e radhës të Bashkimit Evropian në muajin janar. Duke arritur sot në ditën e fundit të takimit të nivelit të lartë të Bashkimit në Bruksel, Zhoze Manuel Barroso, Presidenti i Komisionit Evropian tha se bisedimet e djeshme për zgjerimin kishin shkuar mirë. "Ky konsensus i përtëritur për zgjerimin duket qartë se po konsolidohet dhe shpresoj se konkluzionet që do të miratojmë sot do ta bëjnë të qartë se kjo Evropë e rezultatave konkrete po bën përparim," theksoi Barroso.

Karta e Bashkimit Evropian u projektua për të shërbyer si një plan se si do të administrohej një Bashkim i zgjeruar, pas pranimit në të të 10 vendeve të reja anëtare në vitin 2004. Shumë prej tyre ishin vende ish komuniste të Evropës Lindore. Por Kushtetuta, e cila kërkonte miratimin e të 25 vendeve të bllokut u hodh poshtë bvitin e kaluar nga votuesit francezë dhe holandezë. “Jo”-ja e tyre zbuloi ngurrimet e disa vendeve evropiane për të pranuar shtete të reja në Bashkim. Disa udhëheqës, pjesmarrës në takimin e nivelit të lartë thanë se blloku duhet ta rikthejë në fuqi Kartën para se të marrë vendime të mëdha se në ç’përmasa dhe sa shpejt duhet të zgjerohet me anëtarë të rinj.

Zgjerimi ishte çështja kryesore ku u përqendrua takimi dyditësh. Mbrëmë, udhëheqësit miratuan vendimin për të pezulluar pjesërisht bisedimet e anëtarësimit me Turqinë pasi ajo refuzoi të respektonte marrëveshjen për t’i hapur portet dhe aeroportet anëtares së Bashkimit Evropian, Qipros, qeverinë e së cilës Turqia nuk e njeh. Disa vende, si Britania dhe Polonia, thonë se Bashkimi duhet t’i mirëpresë shtetet që kërkojnë të anëtarësohen dhe thonë se pezullimi i pjesshëm i Turqisë mund të forcojë ndjenjat kundër Bashkimit në këtë vend me 70 milionë banorë. Por tani që Rumania dhe Bullgaria do të hyjnë në Bashkimin Evropian në muajin janar, shumë vende anëtare shtrojnë pyetjen nëse ka ardhur koha për ta frenuar zgjerimin e bllokut.

Disa analistë thonë se zgjerimi i mëtejshëm mund ta dobësojë ndikimin e vendeve të vjetra anëtare. Shqetësimi tjetër i madh është se trasferimi i krahut të lirë të punës mund t’u kushtojë vende pune shteteve të pasura dhe të kërcënojë sistemin e konsoliduar të ndihmave sociale në to. Në deklaratën takimit, udhëheqësit e bëjnë të qartë se vendet aspirante, Turqia, si dhe Shqipëria, Bosnja, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, do të duhet të zgjidhin pa vonesë çështjen e reformave administrative dhe juridike si dhe luftën kundër korrupsionit. Në takimin e tyre, udhëheqësit e Bashkimit nuk arritën dot marrëveshje mbi rrugët për të lehtësuar bashkëpunimin mes policive dhe në aspektin e luftës kundër terrorizmit brenda 25-shes.//rd//

XS
SM
MD
LG