Lidhje

Dy drejtues të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane thonë se Prishtina duhet të flasë hapur rreth planit të zotit Ahtisari


Dy lobistë amerikanë që sapo janë kthyer nga një vizitë në Kosovë, thonë se elita politike e Prishtinës duhet të flasë hapur qysh tani se çfarë elementesh duhet të përmbajë plani i negociatorit ndërkombëtar Marti Ahtisari. Në intervistat që i dhanë Zërit të Amerikës, ish kongresmeni Xho DioGuardi, i cili kryeson Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe këshilltarja juridike e kësaj Lidhjeje, Shërli Klois-DioGuardi, komentuan mbi disa nga problemet e mundëshme me të cilat përballen sot politikanët në Kosovë.

Ish kongresmeni Xho DioGuardi, prej kohe mbështetës i pavarësisë për Kosovën, thotë se shqiptarët duhet të tregohen më aktivë në përpjekjet për të kërkuar të drejtat e tyre.

"Udhëheqësit e Kosovës duhet të shikojnë realitetin dhe realiteti është se kur kërkon pushtetin, kur kërkon të jesh shtet i pavarur, kjo nuk është e lehtë sepse askush nuk ta dhuron atë por duhet ta kërkosh vetë në mënyrë të unifikuar, të koordinuar dhe me zë të lartë".

Episodi që lidhet me tensionet e fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës duket se nuk i shqetëson shumë drejtuesit e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane.

Shërli Klois-DioGuardi nuk mendon se politikat partiake në Kosovë mund të ndikojnë shumë në vendimet e komunitetit ndërkombëtar për statusin.

"Pavarësisht se cila parti politike e udhëheq vendin dhe se çfarë qeverie koalicioni ndodhet në pushtet, ajo që ka rëndësi është se çfarë mesazhesh, çfarë sinjalesh i dërgon komunitetit ndërkombëtar elita politike. Dhe problemi që shikoj unë është mungesa e unitetit për çështjet kryesore. Në këtë rast, çështja kryesore është që të mos ketë më shtyrje dhe negociata, sepse ka zëra që Beogradi po përpiqet të sigurojë dy raunde të tjera bisedimesh pasi të publikohet plani i zotit Ahtisari".

Jo vetëm kaq, thonë lobistët nga Nju Jorku. Me aq sa dihet deri tani nga propozimi i shumëpritur i kryenegociatorit ndërkombëtar, Kosova e pas statusit mund të ketë një zyrë civile ndërkombëtare, të drejtuar nga Bashkimi Evropian, e cila do të funksiononte ashtu si në Bosnje.

"Mua më shqetëson shumë fakti që kjo zyrë ndërkombëtare civile do të ketë një kontroll mjaft të madh mbi jetën politike të Kosovës dhe mund të shkarkojë çdo zyrtar që ajo mendon se e pengon zbatimin e procesit të paqes. Këto do të ishin kompetenca shumë të gjera dhe mendoj se udhëheqja kosovare duhet të dalë qysh tani dhe të thotë se kjo i ngjan në fakt Bosnje-Hercegovinës e se ajo nuk dëshiron të ecë në një rrugë të tillë, pasi kjo do ta shtynte përsëri statusin e Kosovës".

Zonja Shërli Klois është gjithashtu kundër çdo plani që do ta linte veriun e Mitrovicës me një status të papërcaktuar, gjë që sipas saj do ta lejonte Beogradin t’i përdorte serbët e Kosovës si vegla të tij.

Prandaj ajo mendon se tani është koha që udhëheqësit e Kosovës të flasin hapur se çfarë elementesh duhet të përmbajë plani i zotit Ahtisari. Ata, këshillon ajo, duhet të udhëtojnë më pak jashtë shtetit dhe të shkojnë qytet më qytet e fshat më fshat për të diskutuar me popullatën mbi të ardhmen e Kosovës.

Ish kongresmeni Xho DioGuardi mendon se edhe pas propozimit të zotit Ahtisari, rruga drejt pavarësisë nuk do të jetë aspak e lehtë.

"Ahtisari duhet të gjejë rrugën për një rezolutë të re në Kombet e Bashkuara e cila ndonëse nuk do ta shpallë pavarësinë, do ta lejonte Kosovën që ta shpallte vetë pavarësinë dhe të tërhiqte mbështetjen e vendeve të tjera për ta njohur atë si shtet të pavarur, ashtu siç veproi Kroacia në vitin 1991 kur ajo u njoh nga Gjermania dhe pastaj nga vendet e tjera".

Por për të arritur këtë, thotë zoti DioGuardi, shqiptarëve të Kosovës do t’u duhet të bëjnë shumë punë.

Ai beson ndërkaq se Shtetet e Bashkuara së bashku me Britaninë do të jenë dy vendet të cilat do të udhëheqin përpjekjet në arenën ndërkombëtare që Kosova të fitojë pavarësinë.

"Ka rëndësi të kuptohet se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë aleati më i mirë që kanë shqiptarët".

Debati sot për sot është përqendruar te pavarësia politike. Por, thotë zonja Shirley Cloyes, në kushtet e tanishme, pavarësia ekonomike për Kosovën do të kishte rëndësi të veçantë.

"Kyçi është që Kosova të arrijë atë shkallë që ajo të jetë e pavarur ekonomikisht, ose të paktën të hyjë në këtë rrugë, sepse është skandaloz fakti që 70% e popullatës në Kosovë është e papunë". //ze//

XS
SM
MD
LG