Lidhje

Tradita e kurorave prej bredhi daton para lindjes së Krishtit


Në këtë periudhë të vitit shumë të krishterë në mbarë botën i zbukurojnë shtëpitë për festën e Krishtlindjes. Përveç pemës së vitit të ri, shumë veta vënë në derë kurora me degë bredhi. Këto kurora festive i kanë rrënjët në një traditë që lindi para Krishtit.

Në këtë periudhë shumë shtëpi dhe banesa në Shtetet e Bashkuara zbukurohen me kurora krishtlindjesh. Kjo traditë e ka zanafillën në shekullin e 7 para erës sonë kur kurorat me degë pemësh përdoreshin për të kurorëzuar fituesin e Lojrave Olimpike. Askush nuk e di kur ky objekt zbukurimi për njeriun u shndërrua në zbukurim për banesën. Shumë veta spekulojnë se ndodhi kur sportistët i varnin kurorat në mur si kujtim i fitores së shënuar.

Sot kurorat prodhohen nga materiale të ndryshme dhe përdoren në forma të ndryshme. Në Institutin Historik Tudor në Uashington jepen kurse mbi mënyrën si të bësh një kurorë. Emily Rusch është zëdhënëse e Institutit: “Kursi ynë vazhdon prej vitesh dhe ka fituar shumë popullaritet nga viti në vit. Është shumë kënaqësi të shohësh kurorën që ke varur në derë dhe të thuash “e kam bërë vetë”.

Kim Sho dhe Xhon Zimmer thonë se kursi për thurjen e kurorave është një mënyrë shumë e mirë për t’u përgatitur për festat: “Ngjall tek secili atmosferën e Krishtlindjeve, të festave. Është hera e parë që e ndjek këtë kurs, por nuk mendoj se do të jetë e fundit. Mund të vimë përsëri vitin e ardhshëm dhe të sjellim edhe miq me vete”.

Ata që ndjekin kursin janë në nivele të ndryshme aftësish. Disa, si për shembull Kim Sho, nuk kanë drojtje të mësojnë nga të tjerët. “Pashë çfarë po bënte ajo dhe m’u duk interesante, prandaj po e provoj edhe vetë. Ka plot mënyra për të bërë diçka që të pëlqen”.

Si Xhon Zimmer ashtu edhe Kim Sho janë shumë të kënaqur me rezultatin.

Për Kimin është një kënaqësi e veçantë që këtë radhë kurora do të jetë e bërë nga ajo vetë dhe jo e blerë në dyqan. //az//

XS
SM
MD
LG