Lidhje

Diplomacia kulturore një mënyrë tjetër komunikimi me botën arabe


Mes trazirave të shkaktuara nga politika amerikane për Lindjen e Mesme, diplomacia amerikane po kërkon tani rrugë më të efektshme për të komunikuar me botën arabe në mbarë rajonin. Qendra Kennedy e Arteve, qëndra kryesore kulturore në Washington po angazhohet në një program ambicioz shkëmbimesh me organizata artistike nga 22 vende arabe. programi synon të përdorë artin për të përmirësuar bashkëpunimin dhe kuptimin midis arabëve dhe amerikanëve.

Presidenti i Qendrës Kennedy Michael Kaiser është njeri me shumë talente. Ai është gjithashtu ambasador i Drejtorisë për Programet Kulturore në Departamentin e Shtetit. Gjatë një konference për shtyp kohët e fundit, ai njoftoi se qendra Kennedy po ndërmerr një përpjekje për të nxitur lidhjet kulturore amerikane me botën arabe.

“Do të organizojmë një festival madhor të artit arab në Qendrën Kennedy në vitin 2009, por duke filluar nga pranvera do të fillojmë të mbajmë simpoziume të përvitshme mbi menaxhimin e artit në vendet arabe. Kam bindjen se ky projekt, më ambicioni deri më sot, do të sjell përfitime të dyfishta jo vetëm për edukimin e publikut amerikan por do të krijojë gjithashtu institucione më të fuqishme kulturore në botën arabe”.

Zoti Kaiser beson se amerikanët do të përfitojnë duke mësuar më shumë rreth kulturave të tjera dhe se mënyra më e efektshme dhe më angazhuese për ta bërë këtë është të shohës se si shprehen artistikisht njerëzit e kulturave të tjera.

“Mund të theksojmë të përbashkëtat dhe dallimet por jo të ndahemi nga këto dalime. Është shumë e rëndësishme që amerikanët të kuptojnë arabët, jo vetëm qeveritë arabe. Dhe njëkohësisht është e rëndësishme që populli arab të kuptojë amerikanët. Duhet të kuptojmë njëri-tjetrin dhe jo thjesht qeverinë e të tjerëve dhe kështu mund të bëjmë paqe”.

Në vitin 2003 Qendra Kennedy ftoi Simfoninë Kombëtare të Irakut të interpretonte në Washington. Zoti Kaiser thotë se ky aktivitet u hapi sytë amerikanëve të panjohur me pasurinë e kulturës irakiane.

“Kur pritëm Simfoninë e Irakut në qendrën tonë para tre vjetësh, përgjigja që dëgjoja më shpesh ishte: nuk e dija që Iraku kishte simfoni. Shumica e amerikanëve ishin të panjohur me nivelin e edukimit dhe kulturës së popullit irakian”.

Një eksperiencë e ngjashme ishte ajo në vitin 1984 kur Diana Calenti një kërcimtare dhe koreografe amerikane arriti të ndërtojë e vetme një urë midis komunitetit të baletit bashkëkohor amerikan dhe grupeve të kërcimeve folklorike egjyptiane.

Si Calenti dhe Kaiser besojnë se artistët mund të lidhin Lindjen me Perëndimin më mirë sesa shumë politikanë pasi arti na kujton të përbashktën njerëzore, vlerat që ndajmë me njerëzit në mbarë botën. Kaiser thotë se programi i ri i bashkëpunimit artistik do të sjell së bashku qindra artistë të mrekullueshëm nga Shtetet e Bashkuara dhe bota arabe. //kk//

XS
SM
MD
LG