Lidhje

Ambasadorja Ris bën thirrje për zgjidhje sa më të shpejtë të krizës parazgjedhore


Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Marsi Ris u bën thirrje politikanë shqiptarë t’i zgjidhin problemet e mbetura sa më shpejt, që Shqipëria të shkojë drejt zgjedhjeve brenda afateve kushtetuese dhe ne përputhje me ligjet e vendit. Zgjedhjet, thotë zyrtarja e lartë amerikane, do të demostrojnë shkallën e demokracisë në Shqipëri, një prej kritereve ku bazohet aleanca e NATO-s për pranimin e anëtarëve të rinj.

Zëri i Amerikës: Zonja Ambasadore, Shqipëria duket se ndodhet përsëri sot në një udhëkryq. Zgjedhjet lokale e kanë polarizuar së tepërmi situatën. Si ambasadorja e vendit që ka ndikimin më të madh politik në Shqipëri, si e shikoni ju gjendjen e sotme në këtë vend?

Ambasadorja Marsi Ris: Le të shikojmë situatën nga një plan më i gjerë. Kushtetuta e Shqipërisë thotë se zyrtarët lokalë duhet të zgjidhen për një mandat 3 vjeçar. Ky mandat 3 vjeçar po përfundon dhe në fund të kësaj periudhe duhet të ketë zgjedhje të reja. Dhe tani Shqipëria është në fazën e përgatitjeve për zgjedhjet. Po ashtu kushtetuta dhe ligjet e Shqipërisë parashikojnë pjesëmarrje të të gjithë forcave politike në procesin përgatitor të zgjedhjeve. Ajo që po ndodh aktualisht është se polarizimi politik, po ndikon tek përgatitjet. Kjo paraqet problem, se pa përgatitje nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të drejta. Pikërisht kjo është ajo që na shqetëson, përgatitja e zgjedhjeve në përputhje me ligjet. Kjo kërkon pjesëmarrjen e të gjitha partive politike në procesin përgatitor.

Zëri i Amerikës: Pikërisht këtu fillojnë edhe mosmarrëveshjet në Shqipëri. Mosmarrëveshja e fundit ka të bëjë me një dokument të rëndësishëm me çertifikatat, me kartat e identitetit për të votuar. A është e justifikuar këmbëngulja e Partisë Socialiste në qëndrimin e saj për këto dokumente verifikimi për të votuar?

Ambasadorja Marsi Ris: Ajo që mendoj se është e rëndësishme, është se ka patur disa marrëveshje mbi disa aspektet teknike, që lidhen me fazën përgatitore të zgjedhjeve. Këto marrëveshje duhen zbatuar. Ndërsa pjesa tjetër e çështjeve teknike duhet të sqarohen. Ne kemi shumë ekspertë për këto çështje teknike, mendimi i tyre duhet dëgjuar. Por po ashtu duhet vullnet i mirë. Duhet gjetur një zgjidhje e negociuar, ku palët të marrin pjesë me vullnet të mirë.

Zëri i Amerikës: Në Shqipëri është kthyer pothuajse në normë që vendi shkon deri në buzë të krizës, për të dalë prej saj me një marrëveshje të minutës së fundit. A po paguan sot Shqipëria koston e marrëveshjeve të çastit të së kaluarës?

Ambasadorja Marsi Ris: Ajo që është e rendësishme sot dhe vëmendja aty duhet përqëndruar, janë zgjedhjet. Në të kaluarën, në vitin 2005, zgjedhjet u cilësuan si më të mirat, që Shqipëria kishte patur deri atëhere dhe Shqipëria u vlerësua për këtë. Kjo ishte e rendësishme. Ne shpresojmë që edhe zgjedhjet e tanishme të jenë si ato, ose edhe më të mira. Jemi ende në fazën përgatitore dhe ne shpresojmë që çështjet e mbetura ende pezull të zgjidhen shpejt, që të gjithë të marrin pjesë në to, pasi e kanë për detyrë dhe që zgjedhjet të plotësojnë standartet për të qënë të lira e të drejta.

Zëri i Amerikës: Shtetet e Bashkuara kanë qënë mbështetëse të fuqishme të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Nato. Në takimin e Rigës Presidenti Bush e përmendi Shqipërinë si një kandidat i fortë për të marrë ftesë për anëtarësim në vitin 2008. Të enjten, zoti Solana tha se mosmarrëveshjet e fundit do ta dëmtonin përparimin drejt integrimit evropian. A ndani ju të njejtin shqetësim edhe për Naton? A vazhdon Uashingtoni edhe sot ta konsiderojë Shqipërinë si një kandidat të fortë për vitin 2008?

Ambasadorja Marsi Ris: Ne gjithmonë kemi thenë se Shtetet e Bashkuara mbështesin aspiratat e Shqipërisë për t’u integruar në institucionet euroatlantike. Por këto institucione, NATO-ja, meqë për këtë më pyetët, është një institucion, në të cilin anëtarësimi bazohet tek përparimi i vendeve dhe një nga kriteret është demokracia dhe funksionimi i institucioneve demokratike. Pra zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të drejta është pjesë e normave demokratike dhe zhvillimit institucional. Ne do t’i vëzhgojmë zgjedhjet dhe ato do të shërbejnë si kriter për të demonstruar forcën e institucioneve demokratike.

Zëri i Amerikës: Mosmarrëveshjet e fundit në Shqipëri i kanë lënë disi në hije përparimet e tjera që mund të ketë arritur vendi gjatë vitit 2006. Cili është mendimi juaj, si ka ecur Shqipëria gjatë 2006?

Ambasadorja Marsi Ris: Një vit është një kohë e gjatë. Një nga gjerat që dua të ve në dukje gjatë vitit që kaloi, ishte shtimi i marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Patëm vizita të rëndësishme, si ajo e një delegacioni të Kongresit amerikan, më e madhja e kësaj natyre, apo vizita e Sekretarit Rumsfeld. Po punojmë së bashku në kuadër të Programit për Sfidat e Mijëvjeçarit, për luftën kundër korupsionit, që është e rëndësishme për Shqipërinë. Po ashtu një kompani e rëndësishme amerikane ka filluar një projekt të madh në Shqipëri, rrugën Durrës-Kukës. Këto të gjitha dëshmojnë për marrëdhënie të gjalla dhe të shëndetshme. Një një plan më të gjerë, ne e falenderojmë Shqipërinë për pjesëmarrjen në luftën në Irak e Afganistan. Në Shqipëri u zhvillua me sukses Forumi i Ministrave të Mbrojtjes të Evropës Junglindore, ku mori pjesë edhe Sekretari Rumsfeld. Po ashtu po bashkëpunojmë edhe në sektoret e shëndetësisë, arësimit, biznesit të vogël, në luftën kundër krimit e korrupsioni si dhe po japim ndihmë aktive për forcimin e shoqërisë civile. Të gjitha këto janë bashkëpunime të rëndësishme dhe arritje gjatë vitit të kaluar.

Zëri i Amerikës: Dhe në fund, dëshironi të shtoni diçka tjetër për popullin shqiptar?

Ambasadorja Marsi Ris: Po. Do të doja të shtoja, meqë të gjithë janë përqëndruar në zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me zgjedhjet, që këto çështje duhet të trajtohen në kuadër të së ardhmes të vendit. Zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të drejta, është shumë i rëndësish]ëme për Shqipërinë. Rëndësia e tyre qëndron jo vetëm për imazhin që krijohet tek komuniteti ndërkombëtar, por zgjedhjet e lira e të drejta, janë të rëndësishme për vetë Shqipërinë. Unë do të uroja që forcat politike të bashkëpunonin dhe ta shohin situatën si një synim kombëtar, t’i zgjidhin me shpejtësi problemet që kanë mbetur dhe të kalohet pastaj në provën reale, atë të zhvillimit të zgjedhjeve, ku kandidatët të fillojnë fushatën dhe votuesit të kenë të drejtë të zgjedhin, pasi ky në fund të fundit është edhe synimi. //rd//

XS
SM
MD
LG