Lidhje

Banka Botërore komenton për situatën energjetike të Shqipërisë


"Për të patur një furnizim sa më të mirë me energji elektrike, Shqipëria duhet të heqë dorë gradualisht nga varësia prej burimeve ujore dhe të ndërtojë prodhues alternativë energjie, krahas hidrocentraleve mbi lumenj, ndërsa qytetarët duhet të paguajnë energjinë që harxhojnë." Kështu deklaroi sot në një takim me shtypin drejtori i Bankës Botërore në Tiranë, Nadir Muhamed, duke komentuar situatën kritike të energjisë elektrike.

"Shumica e vendeve kanë një varësi prej 40% nga burimet ujore për energjinë, ndërsa në Shqipëri kjo varësi është shumë e lartë 97%, kështu që vendi mbetet çdo vit në varësi shumë të lartë nga kushtet atmosferike. Qeveria shqiptare duhet të zbatojë me shpejtësi projektet që do ta nxjerrin nga kjo varësi prej rreshjeve. Qeveria duhet të lëvizë më shpejt për të tërhequr sa më shumë invetime të huaja direkte në këtë sekttor të rëndësishëm, tani që edhe Ligji për koncensisonet është miratuar".

Zoti Muhamed tha se popullata në Shqipëri paguan vetëm një të tretën e energjisë së harxhuar dhe kjo ndikon për keq në situatën energjitike të vendit.

"Shqipëria edhe në kushte atmosferike normale prodhon gjysmën e energjisë që i duhet, kështu që gjithmonë ajo do të ketë nevojë për importe, KESH nuk ka ku të gjejë para për të blerë energji shtesë nga jashtë, ndëkohë që qytetarët nuk paguajnë dhe cmimet e energjisë në tregun botëror janë dyfishuar dhe trefishuar".

Zoti Muhamed thotë se njerëzit duhet të kuptojnë që energjia është një mall si gjithë të tjerët, që duhet paguar, sepse kushton shumë prodhimi dhe importimi i tij. Banka Botërore u ka rekomanduar autoriteteve skema të një menaxhimi më të mirë të KESH, dhe studime mbi matjen e energjisë dhe importimin e saj. Banka mendon se është e nevojshme që të studiohen edhe mundësi për ta parapaguar energjinë me karta si të telefonave, dhe të instalohen më shumë matësa të energjisë tek qytetarët dhe bizneset.//lk

XS
SM
MD
LG