Lidhje

Presidenti Bush i bën thirrje Kongresit të mbështesë planin e tij për Irakun


Presidenti i Shteteve të Bashkuara Xhorxh Bush thotë se do të dërgojë trupa shtesë në Irak që do të përmirësojnë sigurinë si për irakianët ashtu edhe për amerikanët. Presidenti i bëri këto komente në fjalimin e tij drejtuar vendit:

Ky ishte fjalimi i parë mbi gjendjen e vendit që Presidenti Bush mban para një Kongresi të udhëhequr nga opozita. Presidenti përshëndeti demokratët që tani drejtojnë si Dhomën e Përfaqësuesve ashtu edhe Senatin amerikan, duke thënë se Kongresi mund të ketë ndryshuar, por përgjegjësitë mbeten të njëjta:

"Nuk jemi të parët që dalim këtu me një qeveri të ndarë në një atmosferë paqartësie. Si shumë të tjerë para nesh, ne mund t’i kapërcejmë dasitë tona dhe mund të arrijmë objektiva të mëdha për popullin amerikan. Shtetasit amerikanë nuk duan t’ia dinë shumë se cilës parti i përkasim, për sa kohë që jemi të gatshëm të kapërcejmë ndarjet partiake, kur kemi detyra për të përmbushur."

Anketat e opinionit tregojnë se një shumicë amerikanësh nuk e mbështesin mënyrën se si Presidenti e ka kryer detyrën e tij. Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, Presidenti Bush erdhi në Kongres për fjalimin drejtuar vendit në janar 2002, kur gëzonte mbështetjen e 82 për qind të vendit. Tani kjo mbështetje ka rënë në 34 për qind. Një pjesë e mirë e rënies së mbështetjes është rezultat i kundërshtimit ndaj luftës në Irak.

Presidenti Bush ka deklaruar atë që e cilëson si një rrugë e re përpara për t’iu kundërvënë konfliktit, duke dërguar 20 mijë trupa shtesë dhe duke i vënë qeverisë irakiane standarte për përmirësimin e sigurisë dhe shtimin e bashkëpunimit politik. Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thonë se një ndër arsyet që kjo luftë nuk gëzon popullaritet është sepse amerikanët nuk e kuptojnë lidhjen që ekziston ndërmjet luftimeve në Irak dhe sigurisë në Shtetet e Bashkuara.

Në vend që të përqëndrohej në hollësitë e planit të tij, Presidenti Bush u përpoq të përshkruante implikimet e gjera të këtij konflikti, duke theksuar se kjo është një luftë ideologjike ndërmjet forcave të moderuara dhe ekstremistëve. Ky konflikt, tha ai, do të vendosë fatin e sigurisë së Amerikës:

"Ne u shërbejmë interesave tona të sigurisë duke ndihmuar forcat e moderuara, reformatore dhe zërat e guximshëm për demokraci. Dilema e madhe e ditëve tona është nëse Amerika do të ndihmojë ata njerëz në Lindjen e Mesme që duan të ndërtojnë shoqëri të lira dhe të gëzojnë të drejtat e njerëzimit. Unë them se për të mirën e sigurisë sonë, ne duhet të ndihmojmë."

Duke pohuar se ndaj planit të tij ka kundërshtim, Presidenti Bush tha se pasojat e dështimit do të ishin të rënda dhe do të kishin ndikim në shkallë të gjerë:

"Nëse forcat amerikane tërhiqen para se Bagdati të jetë i sigurt, qeveria irakiane do të uzurpohej nga ekstremistët nga të gjitha anët. Ne duhet të presim një luftë epike ndërmjet ekstremistëve shiitë të mbështetur nga Irani dhe ekstremistëve suni të ndihmuar nga al-Kaida dhe përkrahësit e regjimit të mëparshëm. Konflikti mund të përfshijë të gjithë vendin dhe më pas i gjithë rajoni mund të precipitojë në konflikt."

Ky, tha Presidenti, është synimi i armikut: të gjejë strehë të sigurta, të sigurojë rekrutë të rinj dhe burime të reja në një Irak të përfshirë nga kaosi për të realizuar atë që Presidenti e përshkroi si vendosmërinë e armikut për të dëmtuar Amerikën.

Përveç përpjekjeve për të zgjidhur këtë konflikt, Presidenti tha se do të vazhdojë punën me Kombet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe Rusinë për të arritur një zgjidhje për konfliktin izraelito-palestinez me krijimin e një shteti palestinez. Presidenti tha se Natoja po merr përsipër rolin udhëheqës në përpjekjet për të luftuar mbeturinat talebane dhe al-Kaidën në Afganistan. Ai tha se po punon me aleatët në rajon për një gadishull korean pa armë bërthamore.

Presidenti tha se Amerika do të vazhdojë të ngrejë zërin për liri në Kubë, Bjellorusi dhe Birmani dhe do të punojë për të zgjuar ndërgjegjen e botës për të shpëtuar sudanezët në rajonin e trazuar të Darfurit.

Ai i bëri gjithashtu thirrje Kongresit të vazhdojë financimin e programeve për të luftuar urinë, varfërinë, Sidën e virusin Hiv dhe malarjen duke theksuar se politika e jashtme amerikane nuk përqëndrohet vetëm tek lufta dhe diplomacia.

XS
SM
MD
LG