Lidhje

Bizneset, ambjentalistët, kërkojnë masa kundër ngrohjes globale


Një grup biznesesh me bazë në Shtetet e Bashkuara dhe organizatash ambjentaliste po i bën thirrje qeverisë federale të veprojë me shpejtësi për zbatimin e ligjeve të reja për pakësimin e ndjeshëm të efektit serrë. Ky grup thotë se çdo vonesë në pakësimin e çlirimit të gazeve që ndikon në ngrohjen globale, në fakt do ta bënte të nevojshme pakësimin e menjëhershëm të këtij fenomeni në të ardhmen.

Është një partneritet jo i zakontë: drejtuesit e disa prej korporatave amerikane më të mëdha, po bashkëpunojnë me drejtuesit e grupeve më të rëndësishme ambjentaliste.

Jonathan Lash, President i Institutit të Burimeve Botërore thotë se tashmë është folur shumë për ngrohjen globale. “Tani nuk shtrohet çështja për të vepruar, por se çfarë veprimi duhet ndërmarrë. Pikërisht kjo solli në një takim të përbashkët këtë grup specialistësh”.

Partneriteti Amerikan për Klimën, ose US-CAP, po propozon një plan të detyruar në shkallë kombëtare, mbi çlirimin e dioksidit të karbonit, që është gazi kryesor i efektit serrë.

Synimi i tij është pakësimi me 30 për qind i nivelit të tanishëm të gazit gjatë 15 vjetëve të ardhshëm. Jim Rogers është Drejtori Ekzekutiv i Korporatës Duke të Energjisë. “Na nevojitet një program elastik për trajtimin e sfidave ekonomike dhe teknike që kemi përpara, por ai duhet të jetë i detyrueshëm, në mënyrë që të mos ketë dyshim për përkushtimin tonë për të ndërmarrë një veprim konkret”.

Grupi US-CAP kërkon një trajtim të bazuar tek prirja e tregut, që vendos kufij specifikë ndaj çlirimit të karbonit dhe ofron nxitje ekonomike për arritjen e kësaj. Kjo kërkesë bëhet mes propozimeve të ngjashme në Evropë. Komisioni Evropian shpreson ta pakësojë efektin serrë në nivelin para-industrial deri në vitin 2020. Por Presidenti i Komisionit, Jose Manual Barroso, thotë se vendet evropiane nuk mund ta bëjnë këtë të vetme. “Ne kemi nevojë për mbështetjen e Shteteteve të Bashkuara në këtë çështje. Para së gjithash, ato janë ndotësit më të mëdhenj të mjedisit në botë”.

Shtetet e Bashkuara, që nuk e nënshkruan Protokollin e Kiottos, i cili u kërkon vendeve industriale të pakësojnë çlirimin e gazeve, prodhojnë një të katërtën e gazeve të çliruara nga efekti serrë. Administrata e Presidentit Bush ka thënë se marrëveshja mund ta dobësonte ekonominë amerikane. Por Fred Krupp, President i grupit jo-fitimiprurës “Mbrojtja e Mjedisit”, thotë se është koha që ligjvënësit amerikanë t’i lenë mënjanë politikat, për të marrë drejtimin në këtë çështje globale.“Ne i kërkojmë Kongresit të veprojë këtë vit dhe të mos presë për ardhjen e një adminsitrate të re, apo për debatet presidenciale. Ne shpresojmë që ashtu sikurse jemi mbledhur të gjithë së bashku këtu, është koha që të dyja partitë të bashkohen për ta miratuar rezolutën tani”, thotë zoti Krupp.

Disa i shohin rekomandimet e grupit US-CAP si një lëvizje e mençur politike, duke patur parasysh numrin e ligjeve për mjedisin të propozuara nga një Kongres i mbizotëruar nga Partia Demokrate. Por Drejtori i kompanisë General Electric, Jeff Immelt, thotë se mbrojtja e së ardhmes kërkon përmirësimin e sensit të biznesit. “Ne jemi të mendimit se kjo lloj të vepruari ndihmon shpirtin e biznesit dhe të iniciativës private dhe njerëzit do të udhëheqin me tekonologjinë e re, të përparuar, kur të dinë se çfarë standartesh do të vendosë tregu në të ardhmen”.

XS
SM
MD
LG