Lidhje

Mediu: Do të qëndrojmë në Irak, sa të jenë trupat amerikane atje


Sekretari amerikan i mbrojtjes Robert Gates u takua sot në Pentagon me Ministrin shqiptar të Mbrojtjes Fatmir Mediu. Zoti Gates falenderoi Shqipërinë për kontributin që jep me trupa në Irak dhe shprehu mbështetje për reformat ushtarake të vendit. Zoti Mediu u takua po sot në Pentagon edhe me Nënsekretarin amerikan të Mbrojtjes Gordon Ingland. Ministri shqiptar ndodhet në Shtetet e Bashkuara për diskutime me zyrtarë të lartë ushtarakë amerikanë, si dhe për të marrë pjesë në Mëngjesin Kombëtar të Lutjeve në Uashington.

Zëri i Amerikës: Ju sapo keni dalë nga bisedimet me sekretarin amerikan të mbrojtjes Robert Gejts. A u diskutua për ndonjë nismë të re në marrëdhëniet ushtarake mes dy vendeve?

Fatmir Mediu: Unë mendoj që ne tashmë kemi një marrëdhënie të qëndrueshme me Pentagonin. Ishte kënaqësi të takohesha me sekretarin Gejts mbas angazhimeve të shumta që ka patur sekretari Ramsfeld dhe besoj që jemi në një plan veprimi të përbashkët për të realizuar të gjitha prioritetet në mënyrë që të marrim ftesën (për në NATO). Reformat e mbrojtjes janë të asistuara nga Pentagoni në aspektin financiar, por edhe në aspektin e asistencës logjistike dhe për reformat. Ne diskutuam sot për çështje që kanë të bëjnë edhe me angazhimet tona në Afganistan dhe në Irak dhe me të gjithë ecuritë e tjera të gjithë planit të përgjithshëm të anëtarësimit në NATO, jo vetëm të reformës në forcat e armatosura.

Zëri i Amerikës: Qeveria shqiptare është një nga mbështetëset më aktive të luftës në Irak, gjithnjë në përpjestim me popullsinë. A ka plane qeveria juaj të shtojë numrin e trupave në Irak? të cilat tani për tani arrijnë në 120?

Fatmir Mediu: E para, dua të theksoj që edhe qeveria amerikane ka qënë mbështetëse për zhvillimet në Shqipëri gjatë gjithë kohës, kështu që mendoj se kjo është një marrëdhënie reciproke. Ne nuk do të shtojmë trupat në Irak, do të vazhdojmë prezencën në Irak deri sa të rrijnë trupat amerikane atje. Jemi duke menduar për zgjerimin e prezencës tonë në Afganistan me partnerë të Natos i cili është besoj një nga aktivitetet më të rëndësishme të aleancës sot për sot. Dhe mendoj që Shqipëria duhet ta tregojë veten si një partner serioz.

Zëri i Amerikës: Çfarë misioni kanë trupat tuaja në Irak dhe a ka plane që ato të transferohen në zona më të rrezikshme si Bagdati, ku administrata amerikane ka përqendruar përpjekjet e saj për vendosjen e sigurisë?

Fatmir Mediu: Nuk kemi një diskutim të tillë me Pentagonin tani për tani. Mendoj që prezenca jonë në Mosul është një prezencë e vlerësuar në nivelin më të lartë dhe ne do të vazhdojmë operacionet tona në Mosul bashkë me trupat amerikane, nën komandën amerikane.

Zëri i Amerikës: A i është ofruar Shqipërisë të pranojë shtetas të tjerë të huaj që mund të lirohen nga baza amerikane e Guantanamos siç ishte rasti i pesë personave ujgurë?

Fatmir Mediu: Ne patëm edhe tre të tjerë të cilëve iu ofrua mbështetje nga ana e Shqipërisë dhe ky mendoj që ishte një gjest jo vetëm i mirëkuptimit midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë por edhe i mirëkuptimit për të dhënë mundësi si vend i cili ka patur probleme më parë me çështje të tilla të azilit politik në kohët e vështira të Shqipërisë. Megjithatë ne jemi në marrëdhënie partneriteti me Shtetet e Bashkuara për të vlerësuar çdo lloj marrëdhënieje e cila është në interes të përbashkët të të dy vendeve.

Zëri i Amerikës: Sa ka ecur programi për asgjësimin e 16 tonëve lëndë kimike të zbuluara në Shqipëri në vitin 2004, program për të cilin qeveria amerikane ka investuar rreth 20 milion dollarë?

Fatmir Mediu: Janë më shumë se 20 milion, janë 38 milion dollarë. Është një iniciativë e senatorit Lugar dhe unë jam i kënaqur të theksoj se ky projekt ka filluar dhe Shqipëria do të deklarojë që do të jetë vendi i parë pa lëndë kimike prezente në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Situata e vështirë që u krijua rreth zgjedhjeve në Shqipëri u prit me shumë shqetësim nga zyrtarët amerikanë. Kur ju kërkoni mbështetje nga zyrtarët amerikanë për t’u pranuar në NATO, a ju duket se bllokimet e jetës politike shqiptare i shtojnë vështirësitë që të merrni mbështetjen që kërkoni nga këta zyrtarë?

Fatmir Mediu: Unë shpresoj që opozita shqiptare të arrijë koshiencën e nevojshme që duhet për çështje të zhvillimit dhe interesit të përbashkët siç është integrimi në Nato apo në BE. Dhe një demokraci funksionale është e domosdoshme natyrisht duke mirëkuptuar çdo lloj shqetësimi serioz mendoj që është e panevojshme që të futemi në diskutime për çështje banale siç u futëm në këtë proces zgjedhor dhe qeveria mori të gjitha hapat qoftë për shtyrjen e zgjedhjeve, qoftë për të arritur në dakortësi të cilat tashmë janë të deklaruara. Data e zgjedhjeve u përcaktua, fushata zgjedhore po vazhdon. Shpresoj që të gjitha palët të arrijnë mirëkuptim në një element që duhet të pranojnë votën dhe verdiktin e qytetarëve shqiptarë, pavarësisht se si është ai.

XS
SM
MD
LG