Lidhje

Frid: Ka ardhur koha që Kosova të ketë statusin e saj


Shtetet e Bashkuara shpresojnë që si pala shqiptare edhe ajo serbe të veprojnë me shpejtësi në përgjigje të propozimit të të dërguarit të posaçëm të OKB-së Marti Ahtisaari. Në një takim me gazetarët dje ndihmës sekretari amerikan i shtetit për çështjet e Evropës dhe Euroazisë Daniel Fried tha se ka ardhur koha që Kosova të ketë statusin e saj, duke shtuar se komuniteti ndërkombetar do të ecë perpara me alternativën më të mirë të mundshme edhe pa mbështetjen e Serbisë.

Ndihmës Sekretari i Shtetit Fried tha se Shtetet e Bashkuara shpresojnë që procesi të ecë me shpejtësi në mënyrë që Kosova të ketë qartësi për statusin e saj tetë vjet pas ngjarjeve të vitit 1999.

“Status-quo-ja nuk mund të vazhdojë më. Kosova nuk do të ketë qëndrueshmëri pa zgjidhjen e statusit të saj. Tetë vjet është kohë e gjatë”.

Duke e pranuar se shqiptarët dhe serbët mund të mos bien dakord për statusin përfundimtar, zoti Fried tha se ata duhet gjithsesi të të bien dakord se cilido qoftë ky status të drejtat e serbëve dhe minoriteteve të tjera duhen mbrojtur.

“Ka disa probleme që nuk zhduken vetëm duke pritur. Situata nuk do të zgjidhet vetvetiu nëse presim për pesë vjet. Kryeministri Kostunica ka thënë se kurrë nuk do t’i pranojë disa gjëra, kështuqë ne duhet të ecim përpara me alternativën më të mirë të mundshme që kemi”.

Ai tha se zoti Ahtisaari e ka zgjedhur ta paraqesë propozimin në një formë të tillë për të ndihmuar palët që të përqendrohen tek detajet dhe jo tek simbolet. Ai la të kuptohej se shtyrjet e mëtejshme mund të çojnë në radikalizim të situatës. Serbia, tha zoti Fried, duhet të mendojë për perspektivën e saj evropiane.

Por plani i zotit Ahtisari deri tani nuk ka gjetur mbështetjen e Rusisë, aleate tradicionale e Serbisë dhe një prej 5 vendeve te përhershme në Këshillin e Sigurimit me të drejtën e vetos.

Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs, tha të mërkurën para Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdheniet me Jashtë, se ka biseduar disa herë me zyrtarët rusë për t’i bindur se Kosova nuk do të shërbejë si precedent për ndonjë rajon tjetër. Komentet e zonjës Rajs, i referoheshin shqetësimit që ka ngritur Moska se pavarësia për Kosovën mund të shërbejë si shembull për rajone të tilla separatiste si Çeçenia apo Osetia Veriore. Duke theksuar mbështetjen për planin e zotit Ahtisari, Sekretarja e Shtetit shtoi se çdo zvarritje e mëtejshme e statusit mund të çojë në trazira në Kosovë.

Sipas ndihmës sekretarit te shtetit Daniel Fried, plani i zotit Ahtisari është alternative e vetme për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

“Ne nuk flasim për një plan të dytë ne flasim për sukses për planin e parë. Ne mbështesim presidentin Ahtisaari. Unë nuk kam dëgjuar deri tani ndonjë argument të arsyeshëm për ndonjë alternativë ndaj këtij propozimi”.

Zoti Fried iu referua vazhdimisht statusit përfundimtar por nuk pranoi ta përkufizonte atë, ndersa shprehu besimin se udhëheqja shqiptare e ka të qartë se si është situata.

“Nuk kanë mbetur shumë gjëra të fshehura. Ata e dinë se për çfarë bëhet fjalë por për momentin duhet të diskutojmë planin e zotit Ahtisaari. Kjo është fjala e Shteteve të Bashkuara tani për tani, por besoj se gjithkush e di se cili do të jetë rezultati”.

Vetë zoti Ahtisari, pas takimit të djeshëm me Sekretarin e Pergjithshëm të OKB-së Ban Ki Moon tha se si Prishtina edhe Beogradi e kanë interpretuar planin e tij si pavarësi te mbikqyrur. Zoti Ahtisari shtoi se kur të paraqesë propozimin përfundimtar në Këshillin e Sigurimit, deri në fund të marsit, ai do të shprehet qartë për statusin. //kk//

XS
SM
MD
LG