Lidhje

SHBA: Edhe një kandidat tjetër i shtohet listës së republikanëve


Ish-guvernatori, Mit Romni njoftoi pjesëmarrjen në garën presidenciale në praninë e përkrahësve në shtetin e tij të lindjes Miçigan.

“Mendoj se taksat janë të larta dhe dhe qeveria është e tejngopur. Uashingtoni po shpenzon shumë para. Mendoj se suguria e vendit fillon me sigurimin e kufijve. Besoj se ditë më të mira do të vijnë, sepse unë kam besim tek Amerika.”

59 vjeçari Romni tha se ka ardhur koha për ndryshime dhe transformime në Uashington. Por ai shtoi se kjo duhet të arrihet nga një politikan jashtë Uashingntonit dhe jo politikanët që shërbejnë atje për një kohë të gjatë, të cilët janë përfshirë në shumë marrëveshje dhe ngatërresa.Lidhur me politikën e jashtme zoti Romni tha se roli i Shteteve të Bashkuara në botë duhet të mishërohet nga vullneti për të udhëhequr, shërbyer dhe ndarë të mirat me vende të tjera.

“Ne duhet ta ndihmojmë Afrikën e varfër, të brutalizuar dhe të përfshirë nga sëmundjet. Ne duhet të udhëheqim vendet e qytetëruara të botës në një partneritet që do të mbështetë vendet e moderuara myslimane, për t’i ndihmuar ato të zbatojnë parimet e jetës moderne dhe të mposhtin Xhihadin e dhunshëm.”

Lidhur me çështjen e Irakut, Zoti Romni tha se mbështet planin e presidentit Bush për rritjen e numrit të trupave. Ai theksoi se një humbje në Irak do të ishte shkatërrimtare për Shtete e Bashkuara dhe rajonin.

I ati i zotit Romni, Xhorxh Romni, shërbeu si guvernatori i shtetit të Miçiganit në vitet 60-të dhe kandidoi pa sukses për president në vitin 1968.

Zoti Mit Romni qëndroi një mandat në postin e guvernatorit të shtetit Masaçusets dhe tani shpreson të tërheqë votuesit konservatorë republikanë në shkallë kombëtare. Por disa konservatorë janë skeptikë mbi komentet që zoti Romni ka bërë në të kaluarën, gjatë fushatës elektorale për guvernator në Masaçusets, ku ai ka paraqitur pikëpamje më të moderuara lidhur me çështje si aborti dhe të drejtat e homoseksualëve. Ai gjithashtu përballet edhe me sfidën për të bindur votuesit se besimi i tij në fenë mormone nuk do të jetë një pengesë gjatë fushatës. Një sondazh tregon se një numër i konsiderueshëm amerikanësh nuk do t’i jepnin votën një kandidati mormon për t’u zgjedhur president.

Zoti Romni hyn në radhët e një grupi republikanësh që janë tashmë në garën presidenciale, e cila pritet të përfshijë edhe senatorin e shtetit të Arizonës, Xhon McKein.

Sipaps sondazheve, senatori McKein dhe ish-kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Rudi Xhuliani janë republikanët që gëzojmë mbështetjen më të madhe.

Republikanë të tjerë që kanë hyrë tashmë në garë ose që kanë hedhur hapat fillestarë, janë senatori nga shteti Kansas, Sam Braunbek; ligjvënësi nga Kalifornia, Dankën Hanter; ligjvënësi nga shteti i Kolorados, Tom Tankredo; ish-guvernatori i shtetit Arkansas, Majk Hakëbi; ish-guvernatori i shtetit Uiskansin, Tomi Tompson; si dhe ish-guvernatori i shtetit të Virxhinias, Xhim Gilmor. //ze//

XS
SM
MD
LG