Lidhje

Ris: Zgjedhjet - piketë e rëndësishme e demokracisë në Shqiperi


Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Marsi Ris, u bëri sot thirrje vëzhguesve shqiptarë të zgjedhjeve vendorë që të punojnë me përkushtim gjatë zgjedhjeve të së djelës.

"Zgjedhjet vendore të 18 shkurtit këtë të djelë do të jenë një piketë e rëndësishme në zhvillimin e demokratik të Shqiperisë. Në mënyrë të pashmangshme këto zgjedhje do të shikohen përmes lenteve të aspiratës së Shqipërisë për hyrjen drejt Bashkimit Europian dhe NATO-s. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme, që plotësojnë standartet ndërkombëtare, do të jenë sinjali i lëvizjes së Shqipërisë më pranë këtyre objektivave". - tha ambasadorja Ris.

Sipas saj, "vëzhgimi dhe gjykimi ndërkombëtar mbi një proces zgjedhor, është i rëndësishëm, por nuk shërben si roje në një shoqëri demokratike, sepse integriteti i zgjedhjeve në demokraci gjendet në duart e qytetarëve".

Ambasadorja Ris i bëri këto komente të shpërndarjes së dokumentave të vëzhguesve vendorë, të cilët ajo i vlerësoi si "trupa më e përgatitur vëzhguese që Shqipëria ka patur ndonjëherë për zgjedhje".

Koalicioni i vëzhguesve vendorë të zgjedhjeve ka bashkuar në një plan të përbashkët veprimi 3 mijë vëzhgues në 65 bashki e 53 komuna në të gjithë vendin. Ata janë veprimtarë të 8 organizatave të njohura, sipas një programi për demokraci dhe qeverisje, të financuar nga USAID.//lk

XS
SM
MD
LG