Lidhje

SHBA: Alarm për kushtet në spitalin kryesor ushtarak


Një ushtarak i lartë amerikan thotë se është i zhgënjyer nga kushtet në të cilat ndodhen të plagosurit në spitalin kryesor ushtarak. Sipas hetimeve të një gazete këtu në Uashington, në këtë spital u gjetën prova neglizhence ndaj ushtarëve të plagosur si dhe pakënaqësi nga ana e këtyre ushtarëve dhe familjeve të tyre. Autoritetet e ushtrisë kanë premtuar marrjen e masave të shpejta, ndërkohë që disa ligjvënës në Kongres kanë kërkuar që të bëhen hetime.

Spitali ushtarak Walter Reed në Uashington krenohet si qendra më e mirë shëndetësore e ushtrisë për të plagosurit e luftës. Ushtria përmend si shembull repartin e protezave, një qendër moderne ku prodhohen në mënyrë të kompjuterizuar gjymtyrë artificiale.

Por në anën tjetër të rrugës Xhorxhia ndodhet e ashtuquajtura Godina 18, qendra e rehabilitimit të ushtarëve të plagosur. Këtu gazeta The Washington Post gjeti ushtarë që presin për muaj e ndoshta vjet që të marrin kujdesin e duhur shëndetsor ose që të lirohen nga ushtria.

Disa jetojnë në kushte të papërshtatshme, me mure të dëmtuara e të veshura nga myku dhe me vrima në tavan.

Ja si shprehet Rob Timins, i shoqatës së Veteranëve të Amerikës në Afganistan dhe Irak.

“Ne nuk duhet t’i trajtojmë kështu heronjtë tanë amerikanë, të cilët japin jetën ose humbasin gjymtyrët në Irak dhe në Afganistan”.

Në Pentagon, zëvëndës-shefi i shtabit të ushtrisë, gjenerali Riçërd Kodi tha, pasi vizitoi Godinën 18, se ai ka filluar tashmë marrjen e masave për të koregjuar atë që e quajti ‘problem në udhëheqje’.

“Ne mbetëm krejtësisht të zhgënjyer me gjendjen e dhomave dhe mendoj se vonesat dhe mungesa e vemendjes për riparimet janë të pafalshme”.

Edhe përfaqësuesja e Uashingtonit në Kongresin amerikan vizitoi Godinën 18, duke sjellë me vete kamera televizive dhe gazetarë. Ajo vizitoi një prej dhomave, ku ndodhen ushtarë të plagosur. Në një prej koridoreve, ajo u ndesh me komandantin e spitalit, gjeneral-majorin George Weightman, i cili tha se 26 dhoma spitali po riparohen në godinën 30 vjeçare, që ka nevojë për një rimodelin rrënjësor.

“Inxhinjerët e spitalit po kontrollojnë gjithë godinën 18 për të përcaktuar nevojën e riparimeve, cilat sisteme duhet të riparohen dhe sa kohë do të duhet për këtë”.

Delegates Elenor Holms Nortën nuk iu treguan dhomat me myk dhe vrima në tavan, madje ajo u tha gazetarëve se nuk kishte pritur të gjente një gjendje kaq të mjerë.

“Mendoj se duke biseduar me dy ushtarë, arrita të kem një ide rreth problemit që ekziston këtu. Duket se artikulli i Washington Postit nxori në shesh një sistem administrativ e mjekësor krej të çorganizuar”.

Ushtari Nik Helferiç, i plagosur në Irak, u tha gazetarëve se dokumentat shkojnë nga një zyrë e spitalit në tjetrën.

“Nga mjeku, tek këshilltari, pastaj duhet të shqyrtohen nga një komision, pastaj dikush duhet t’i miratojë e në fund duhet të nënshkruaj edhe unë”.

Një ushtar tjetër i plagosur, Xhon Gentri, thotë se vonesat duhen pritur në ushtri.

“I kam parë dhomat për të cilat ata flasin. Ato nuk janë aq keq. Unë vetë kam jetuar në kushte edhe më të rënda. Dikush duhet të marrë masa.

Duke ecur nëpër Godinën 18, delegatja Nortën thotë se nuk e vë në dyshim që ushtria do t’i bëjë riparimet.

“Në se ushtria mer masat e duhura, problemet që ekzistojnë në këtë spital mund të riparohen brënda një jave. Pastaj ndeshemi me burokracinë që është vjetëruar, por të paktën ushtari ka kushte të mira jetese”.

Zonja Nortën kërkon që Kongresi të bëjë hetime. Dhe në fakt, një senator ka thënë tashmë se do të zhvillojë muajin e ardhshëm një seancë dëgjimore për këtë çështje. //kk//

XS
SM
MD
LG