Lidhje

Roli i Sirisë në trazirat në Lindjen e Mesme


Presidenti i Sirisë sapo i dha fund një vizite tjetër në Iran më 12 shkurt. Kjo vizitë i shtohet zhvillimeve shqetësuese për administratën e Presidentit Bush lidhur me qëndrimin e Damaskut në rajon. Uashingtoni e akuzon Sirinë se mbështet terrorizmin dhe po nxit dhunën në vendet fqinje, Liban, Irak dhe Izrael dhe synon ta izolojë Damaskun për t’i ushtruar presion të ndryshojë qëndrim. Por ka vende të tjera që këmbëngulin se Siria nuk duhet trajtuar si pjesë e problemit, por e zgjidhjes. Në vazhdim i hedhim një vështrim pozitës gjeopolitke të Sirisë në Lindjen e Mesme:

Presidenti sirian Bashar al-Asad zhvilloi kohët e fundit vizitën e tij të pestë në Teheran që kur erdhi në pushtet në vitin 2000. Synimi i vizitës ishte i qartë – të fuqizohej partneriteti mes dy vendeve përballë një presioni gjithnjë në rritje nga jashtë, veçanërisht nga Uashingtoni. Siria është aleatja kryesore e Iranit në Lindjen e Mesme dhe Presidenti Asad duket se do ta ruajë të pandryshuar këtë marrëdhënie.

Analisti politik Marwan Kabalan i Qendrës për Studime Strategjike në Universitetin e Damaskut, vë në dukje se aleanca e Sirisë me Iranin zgjat prej 3 dekadash, që kur Siria u bë i vetmi vend arab që mbështeste Iranin në luftën Iran-Irak në vitet ’80. Kjo aleancë, thotë analisti, mbetet me rëndësi kritike, veçanërisht ndërkohë që Damasku po izolohet gjithnjë e më tepër në botën e sotme arabe: "Marrëdhëniet me Egjiptin dhe Arabinë Saudite janë tepër të këqija. Po ashtu, Irani dhe Siria kanë interesa të përbashkëta në Liban dhe në Irak dhe në shumë vende të tjera në rajon."

Administrata e Presidentit Bush akuzon të dyja këto vende se po destabilizojnë rajonin duke mbështetur ato që Uashingtoni i konsideron grupe terroriste, si Hezbollahu dhe Hamasi dhe duke ndihmuar milicitë dhe kryengritësit në Irak.

Ministri sirian i Informimit Mohsen Bilal iu kundërvu këtyre akuzave në një intervistë për Zërin e Amerikës: "Nuk është e vërtetë. Ne jemi të angazhuar për të arritur qëndrueshmëri të vërtetë në rajon. Po bëjmë ç’është e mundur për të stabilizuar Irakun, që të shndërrohet në një vend demokratik në unitet dhe paqe, pa pushtues dhe pa sulme terroriste."

Ministri Bilal thotë se Siria nuk ka ndonjë interes për të mbështetur kryengritësit në Irak. Ai thotë se, përkundrazi, Damasku shqetësohet se dhuna në Irak mund të kapërcejë kufijtë dhe të përfshijë të gjithë rajonin. Siria ka pranuar afro 1 milion refugjatë irakianë që janë larguar për t’i shpëtuar dhunës në atdheun e tyre dhe pritet që shifrat do të rriten. Qeveria siriane pohon se mbështet grupet militante palestineze dhe organizatën Hezbollah me bazë në Liban, por thotë se këto janë fraksione politike legjitime dhe lëvizje çlirimtare, jo terroriste.

Administra e Presidentit Bush thotë se Siria duhet të ndryshojë qëndrim, në mënyrë që të fillojë një dialog të vërtetë me këtë vend. Analisti Marwan Kabalan e kritikon këtë qëndrim, duke thënë se Uashingtoni nuk duhet vetëm ta kërcënojë Damaskun, por t’i ofrojë edhe stimuj. Ai shton se roli i Sirisë në rajon nuk duhet ekzagjeruar: "Të marrim si shembull Libanin. Shumë veta mendojnë se Siria e urdhëron Hezbollahun. Mendoj se ky është një gabim i madh. Hezbollahu është një parti libaneze me programin e saj politik, që nuk u bindet urdhërave të Damaskut. Siria mund të ketë ndikim, por nuk e ka nën kontroll. Ndërsa në marrëdhëniet Siri-Iran, Siria është partnerja e vogël, pasi Teherani ka ndikim më të madh tek Damasku."

Në mënyrë që Siria të luajë një rol më pozitiv, thotë analisti, ajo duhet të përfshihet në procesin për zgjidhjen e problemeve në Lindjen e Mesme. Këtë qëndrim rekomandoi edhe Grupi Amerikan Studimor për Irakun, i kryesuar nga ish-Sekretari i Shtetit James Baker.

Analistët në Lindjen e Mesme thonë se vendet në rajon nuk duan dështimin e Amerikës në Irak, por shtojnë se Amerika duhet ta kuptojë se kërkesat dhe veprimet e saj janë të papranueshme, jo për arsye të arrogancës së vendeve të Lindjes së Mesme, por sepse këto janë vendet që janë drejtpërdrejt të ndikuara nga gjendja në Irak, dhe që do të vazhdojnë të ndikohen edhe pasi Shtetet e Bashkura të largohen nga rajoni.

Sirianët kanë një shprehje të lashtë që thotë: Të gjitha rrugët kalojnë nga Damasku. Disa mendojnë se kjo shprehje është me vend edhe në ditët tona. //ad//

XS
SM
MD
LG