Lidhje

Presidenti Bush viziton zonat jugore të goditura nga stuhija


Presidenti Bush po viziton pjesën juglindore të Shteteve të Bashkuara për të parë nga afër dëmet e shkaktuara nga një seri ciklonësh që vranë të paktën 20 vetë në fillim të javës. Zoti Bush e filloi vizitën e tij sot në Enterprise të Alabamës ku cikloni shkatërroi një shollë të mesme duke vrarë tetë adoleshentë. Zoti Bush tha se ishte një “mrekulli” që 100 studentë arritën të shpëtojnë nga ndërtesa e rrëzuar.

Helikopteri i Presidentit Bush fluturoi mbi rrugën që përshkoi stuhija shkatërrimtare në shtetin Alabama, ku tetë adoleshentë gjetën vdekjen të enjten kur shkolla e tyre u shemb në qytetin Enterprise.

Në takimet me zyrtarë shtetërorë dhe lokalë në Enterprise, Presidenti u bëri thirrje amerikanëve të ndihmojnë personat e prekur nga fatkeqësia natyrore: "Ka njerëz që do të kenë nevojë për ndihmën tuaj. Ka pasur banorë të varfër, të cilët mund të përmbushin ose jo kriteret për ndihmë federale, prandaj do të kenë nevojë për mbështetje nga bashkë-qytetarët e tyre. Ju kërkoj që nga zemërgjerësia juaj të ndihmoni këta njerëz," tha Presidenti.

Stuhija la të vdekur 2 vetë në Alabama, nëntë në shtetin fqinj Georgia si dhe një vajzë të vogël në Mizuri. 14 ekipe ekspertësh nga Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave po përllogarisin dëmet për të vlerësuar shumën e ndihmave federale që mund të nevojiten nëse këto dëme nuk përballohen nga fondet shtetërore dhe lokale.

Agjencia dhe Presidenti Bush u bënë objekt kritikash për përgjigjen e dobët ndaj Uraganit Katrina në gusht 2005, i cili shkaktoi vdekjen e 1 mijë e 800 vetëve në Gjirin e Meksikës.

Në përgjigje të pyetjes nëse vendimi i Presidentit për të vizituar zonat e prekura nga ciklonet sot, ishte ndikuar nga tronditja politike që shkaktoi Uragani Katrina, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Dana Perino tha se një gjë e tillë nuk ishte ngritur aspak për diskutim.

Në këtë udhëtim, Presidentin e shoqëroi drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, David Paulson, i cili theksoi se sistemi i përgjigjes federale ndaj këtyre fatkeqësive ka ndryshuar së tepërmi që nga Uragani Katrina. Ai u tha gazetarëve se zyrtarët federalë nuk presin më që qeveria shtetërore dhe lokale të mbyten nga problemet, para se të hidhen në veprim.

Zoti Paulson tha se agjencia dërgoi me shpejtësi ushqime, ujë, akull, çarçafë plasmasi dhe pajisje komunikimi për të ndihmuar zyrtarët shtetërorë t’u vijnë në ndihmë personave të mbetur pa strehë nga stuhija. //ad//

XS
SM
MD
LG