Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hop Sheffer thotë se krijimi i një sistemi për mbrotjen me raketa, i propozuar nga Shtetet e Bashkuara, rrezikon ta përçajë Aleancën mes vendeve që do t’u siguronte mbrojtje dhe atyre më të rrezikuara. Këto komente ai i bëri në një intervistë të botuar sot në gazetën britanike Financial Times.
Ekspertët thonë se sistemi i raketave i propozuar për t’u dislokuar në Poloni dhe në Republikën Çeke do të mbronte shumicën e vendeve evropiane nga sulmet e vendeve, të cilat Washingtoni i cilëson si shtete të papërgjegjshme, si Irani, apo Koreja e Veriut.
Por zyrtarët e NATO-s i thanë gazetës se vendeve të Evropës Juglindore, si Turqisë, Greqisë dhe Italisë do t’i nevojitej një mbrojtje tjetër nga raketat me rreze të shkurtër veprimi, për shkak të afërsisë së tyre gjeografike me Iranin.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Sheffer, thotë në intervistën e tij në Financial Times se sistemi i propozuar nga Shtetet e Bashkuara mund të plotësohet nga NATO-ja me një sistem më të vogël, të lëvizshëm, e cili është në plan të zbatohet në vitin 2010.