Lidhje

Rigjallërimi i al-Kaidës shqetëson zbulimin amerikan


Zyrtarë të lartë të zbulimit amerikan po shprehin shqetësime për herë e më të mëdha se Al-Kaida dhe rrjeti i saj terrorist po riorganizohet në rajonet fisnore të Pakistanit. Analistë të sigurisë thonë se ndonëse Al –Kaida ka pësuar humbje të mëdha që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, ajo po i vazhdon përpjekjet për të siguruar armë të shkatërrimit në masë.

Zyrtarët amerikanë thonë se udhëheqësit e Al-Kaidës kanë filluar rivendosjen e kontrollit ndaj rrjetit të tyre terrorist në malet përgjatë kufirit midis Pakistanit dhe Afganistanit.

Zyrtarët thonë se të dhënat tregojnë që Osama Bin Ladeni dhe zëvendësi i tij, Ayman al-Zawahri, po përgatisin operacione, siç është ngritja e kampeve stërvitore në rajonet fisnore të Pakistanit, pranë kufirit afgan.

Drejtori i ri i Zbulimit Kombëtar Amerikan, Mike McConnell, thotë se udhëheqja kryesore e Al-Kaidës vazhdon të rezistojë.

McConell shpjegon se kjo udhëheqje vazhdon të komplotojë kundër Shteteve të Bashkuara dhe objektivave të tjerë, me synimin për të shkaktuar viktima masive. "Me të vërtetë, Al Kaida, krahas grupeve të tjera terroriste vazhdon përpjekjet për të siguruar armë, apo materiale bërthamore. Al-Kaida po planifikon operacione më të fuqishme, duke i dërguar njerëzit nga kampet e tyre në Pakistan për në grupe dhe rrjete në mbarë Lindjen e Mesme, Afrikën Veriore dhe Evropë."

Zbulimi amerikan thotë se persona më parë të përshkruar si Bin Ladeni dhe udhëheqës të tjerë të Al-Kaidës janë të paaftë për të komunikuar në mënyrë të efektshme me përkrahësit e tyre por janë të aftë vetëm për të frymëzuar veprime terroriste në të ardhmen.

Në ditët para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, Presidenti Bush tha se udhëheqësit e Al-Kaidës se janë në arrati dhe se Amerika po e fiton luftën kundër tyre.

Në një fjalim të muajit të kaluar, zoti Bush i bëri një vlerësim më realist Al-Kaidës brenda në Pakistan. "Luftëtarët talebanë dhe të Al-Kaidës fshihen në rajone të thella të Pakistanit, një vend i prapambetur, ku ata fshehurazi, rekrutojnë anëtarë të rrjetit dhe kryejnë sulme."

Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, trupat amerikane dhe luftëtarët afganë i detyruan Al-Kaidën dhe talebanët të fshiheshin, duke shkatëruar kampe në Afganistan, ku ata kishin stërvitur terroristë për vite me radhë.

Tani, në rajonet fisnore të Pakistanit në kufirin me Afganistanin, zyrtarët amerikanë thonë se Bin Ladeni dhe udhëheqja e Al-Kaidës po e rindërtojnë rrjetin e tyre. Në ato zona ndjenjat pro-talebane dhe anti-amerikane janë të fuqishme.

Analistët thonë se rajonet kufitare të Pakistanit u bënë qendër e aktivitetit ushtarak, kur qeveria pakistaneze zhvilloi negociata mbi një marrëveshje me udhëheqësit fisnorë, për tërheqjen e trupave për në bazat e tyre, në shkëmbim të ndërprerjes së mbështetjes për Al-Kaidën dhe talebanët.

Gjatë një vizite në Shtëpinë e Bardhë shtatorin e kaluar, Presidenti pakistanez Pervez Musharraf i doli në mbrojtje marëveshjes.

Zyrtarë amerikanë të zbulimit thonë se marrëveshja ka dështuar. Ata thonë se Al-Kaida dhe luftëtarët talebanë i shohin tani rajonet fisnore si një vend për fshehjen, stërvitjen dhe kryerjen e sulmeve ndaj forcave amerikane dhe forcave të koalicionit në Afganistan.

Nënpresidenti amerikan Dick Cheney kohët e fundit vizitoi Pakistanin dhe paralajmëroi për rritjen e shqetësimeve se Al-Kaida po fuqizohet ndjeshëm brenda rajoneve fisnore.

Ditën e dytë të vizitës së tij në Afganistan, zoti Cheney i shpëtoi një sulmi, kur një person me bombë hodhi në erë veten pranë një baze ushtarake, ku ndodhej nënpresidenti. Talebanët morën përgjegjësinë për sulmin, që shkaktoi vrasjen e të paktën 22 personave.

Sulmi ndodh mbi 5 vjet pas përpjekjeve amerikane për gjetjen dhe vrasjen e udhëheqësve të Al-Kaidës. Profesor Bruce Hoffman i Universitetit Xhorxhtown thotë se terroristët kanë treguar se janë të aftë për t’u përshtatur dhe për të planifikuar sulme të reja. "Ndoshta Al-Kaida nuk po vepron dot më ashtu sikurse më parë, por ajo e ka treguar veten më të manovrueshme dhe më të aftë nga sa e kishim imagjinuar ne 5-6 vjet të shkuara."

Profesor Hofman thotë se Al-Kaida është “në marshim e sipër“ dhe se ajo po funksionon ashtu sikurse e kishte imagjinuar Osama Bin Ladeni. Kjo thotë ai, po duket qartë, për arsye se udhëheqësit e Al-Kaidës po planifikojnë sulme të mëdha dhe po i frymëzojnë pasuesit e tyre t’i kryejnë këto sulme në mbarë botën. //ii

XS
SM
MD
LG