Lidhje

Plani Ahtisari dhe reagimet e Rusisë ndaj pavarësisë së mundshme


Analisti për çështjet e Ballkanit në Këshillin mbi Marrëdhëniet me Jashtë, Çarles Kupçan, thotë se puna e zotit Ahtisari është e paçmuar.

“Zoti Ahtisari ndodhej në një pozitë tepër të vështirë, nga fakti se kishte të bënte me dy kryeqytete, Prishtinën dhe Beogradin, pozicionet e të cilëve nuk kishin absolutisht asgjë të përbashkët”, thotë analisti.

Në muajin shkurt zoti Ahtisari paraqiti planin që nuk i jep pavarësinë e drejtëpërdrejtë Kosovës, por i hap rrugën asaj drejt krijimit të shtetit.

Analisti Kupçan thotë se shqiptarët e pranuan planin, me gjithë rezervat e tyre, ndërsa Serbia e hodhi atë poshtë pa mëdyshje. Raporti përfundimtar i zotit Ahtisari pritet t’i paraqitet të hënën Këshillit të Sigurimit.

Sipas gazetës franceze, “Le Monde”, për herë të parë zoti Ahtisari mbështet hapur pavarësinë e Kosovës. “Le Monde” citon zotin Ahtisari të jetë shprehur se “alternativa e riintegrimit të Kosovës me Serbinë është pa shpresë”, por edhe “mbajtja e një administrate ndërkombëtare nuk mund të justifikohet”. Duke vazhduar argumentimin e tij, ai thotë se “pavarësia është alternativa e vetme”.

Ekspertët thonë se kjo mund të krijojë kushtet për një ballafaqim midis diplomacisë perëndimore dhe asaj ruse. Moska ka mbrojtur vazhdimisht Serbinë dhe është shprehur se çdo zgjidhje që hidhet poshtë nga Beogradi, është edhe për atë e papranueshme.

Stiven Kohen, ekspert për çështjet ruse në Universitetin e Nju Jorkut, thotë se në Rusi njerëzit janë ende të irrituar në lidhje me faktin se më 1999-ën presidenti i atëhershëm, Boris Jelcin, qendroi pasiv ndaj sulmeve ajrore të NATO-s kundër Serbisë.

“Serbia është vend sllav, e për më tepër, i dërguari i posaçëm rus, Viktor Çërnomërdin, shkoi në Serbi për ta bindur ish presidentin jugosllav, Sllobodan Millosheviç, që të dorëzohej, gjë që çoi eventualisht në arrestimin e tij. Ekziston ndjenja se Rusia la pa mbrojtje pjesëtarin e familjes, vëllain e vogël, kështu që sot ajo e ka për detyrim ta mbrojë Serbinë. Nëse Serbia nuk do të shqetësohej për Kosovën, edhe Rusia nuk do të shqetësohej për këtë çështje”.

Analistët thonë se çështja është se sa predispozitë ka Rusia që të mbrojë vëllanë e vet të vogël, duke shkuar aq larg sa t’i vërë veton në Këshillin e Sigurimit planit të zotit Ahtisarit për Kosovën, megjithëse ai përkrahet nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Steven Kohen beson se Moska do të përdorë veton, ndërsa Çarles Kupçan thotë jo:

“Besoj thjesht se interesat ruse tek çështja e Kosovës janë tepër të vogla, pasi Kosova nuk ka naftë, nuk ka reaktorë bërthamorë dhe nuk ka tregti me Rusinë. Duket se nuk është në iteresin e Presidentit Vladimir Putin të shkaktojë një mosmarrëvehsje të rëndë me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për një çështje që është për Moskën me të vërtetë tangenciale. Ma merr mendja se rusët nuk do të votojnë pro, megjithatë, nga disa këndvështrime, më e thjeshta për ta është të mos konfrontohen, por të abstenojnë. Kështu, ata shmangin një përplasje serioze me perëndimin në një kohë kur marrëdhëniet e tyre janë të tendosura”, thotë analisti.

Vetëm para pak ditësh, Vitali Çurkin, ambasadori rus pranë Kombeve të Bashkuara, nuk deshi të prononcohej kategorikisht për çështjen e vetos.

“Vetoja është fjalë e madhe, kështu që pa dyshim, nuk dua ta përdor para se të vijë dita e votimit”.

Por ambasadori Çurkin tha se nuk e kupton se si Këshilli i Sigurimit mund të mbështesë një zgjidhje që ka të bëjë me ndarjen e një vendi.

Çarles Kupçan, i Këshillit mbi Marrëdhëniet me Jashtë, thotë se dhënia e pavarësisë Kosovës mund të shërbejë si shembull për rajone të tjera.

"Serbët në Republikën Serbe të Bosnjes mund të thonë se nëse shqiptarët e Kosovës mund të shkëputen nga Serbia, përse të mos bashkohemi ne me Serbinë. E ndoshta edhe shqiptarët e rajoneve perëndimore të Maqedonisë do të shpreheshin se kjo sanksionon ndarjen mbi baza etnike, kështu që ata mund të kërkojnë shkëputje nga Maqedonia dhe të bashkohemi me Shqipërinë apo Kosovën. E njejta gjë do të thuhej për çeçenët, abkazët apo osetianët”.

Zoti Kupçan thotë se shumë qeveri po e ndjekin nga afër zgjidhjen e çështjes së Kosovës, duke shpresuar që ajo të mos nxisë prirjet separatiste etnike në rajonet e tyre. //rd//

XS
SM
MD
LG