Lidhje

Thelbi i konfliktit midis myslimanëve suni dhe shiitë në Irak


Që prej një viti, Iraku është përfshirë nga dhuna midis myslimanëve shiitë dhe atyre suni. Disa analistë mendojnë se kjo është një luftë fetare që e ka origjinën te mosmarrëveshjet e shekullit të 17 për çështjen se kush do ta vazhdonte trashëgiminë e Profetit Muhamet. Të tjerë e shikojnë atë si një betejë të kohëve moderne për mbizotërim politik.

Në besimin e tyre sunitë dhe shiitët kanë më shumë gjëra që i bashkojnë se sa i ndajnë. Ata kanë të njëjtin libër të shenjtë – Kuranin dhe praktikojnë pesë shtyllat e Islamit që përfshijnë pelegrinazhin ose haxhillëkun në Mekë.

Megjithatë, sot në Irak ata luftojnë kundër njëri-tjetrit në një betejë që sipas profesorit të studimeve islamike John Voll në Universitetin Georgetown, ka në thelbin e saj marrëdhëniet mes shumicës shiite dhe pakicës suni. Shhitët kanë qenë të privuar nga pushteti dhe të shtypur për një kohë të gjatë, ndërsa sunitë kanë qenë në pushtet dhe nuk duan ta ndajnë atë me të tjerët. "Asnjë elitë politike dominuese nuk ja jep vullnetarisht pushtetin një pakice të shtypur" , thotë zoti Voll.

Me këtë pikëpamje është dakord edhe Professor Marius Deeb i Fakultetit Johns Hopkins për Studimet e Përparuara Ndërkombëtare. "Konflikti është në thelb mes sadamistëve dhe antisadamistëve. Për fat të keq ai mori formën e luftës së sunive ose sadamistëve të vjetër kundër shiitëve, të cilët për fat të keq janë pro-iranianë."

Në shkurt të vitit 2006, kryengritësit shiitë hodhën në erë një xhami shiite në veri të Bagdatit. Ky akt u bë shkak për një konflikt të madh sektar në Bagdat dhe në zonat përreth dhe që ende nuk është vënë nën kontroll. Përsëri John Voll i Universitetit Georgetown: "Disa simbole të rëndësishëm të traditës suni dhe shiite kanë aftësi të mëdha mobilizuese. Kjo është arësyeja që shkatërrimi i Xhamisë së Artë në Samarra u kthye në një ngjarje kaq të rëndësishme. Jo se kjo ishte ndërtesë me vlera strategjike apo ndonjë qendër e rëndësishme ekonomike. Ajo përfaqësonte një imazh, një simbol të identitetit shiit dhe me shkatërrimin e saj, sunitë deshën të tregojnë dobësinë e shiitëve."

Qeveria irakiane mbizotërohet nga myslimanët shiitë dhe shumë prej tyre janë të lidhur ngushtë me Iranin. Kjo është një shqetësim për fqinjët kryesisht suni të Irakut, si Arabia Saudite dhe Jordania. Në vitin 2004, mbreti i Jordanisë Abdullah paralajmëroi për mundësinë e krijimit të një zinxhiri lëvizjesh shiite që shtrihen nga Libani deri në Iran.

Professor Deeb thotë se shqetësimi nuk është thjesht te rritja e lëvizjes shiite por te rritja e mundëshme e militantizmit islamik në të gjitha format. : "Mund të flasim për një rritje të militantizmit islamik që po udhëhiqen nga Irani dhe Siria dhe ku bëjnë pjesë Hezbollahu, Hamasi dhe Xhihadi Islamik. Ata kanë të njëjtin program, i cili për fat të keq është destruktiv. Dhe kjo nuk do të çonte në paqe, pajtim dhe frenim të konfliktit", thotë profesori. Por çfarë mund t’i bashkojë të dy sektet? Professor Voll thotë se rindërtimi do të ishte një hap i mirë i parë që do të krijonte shanse për bashkëpunim.

XS
SM
MD
LG