Lidhje

BE, Nato në mbeshtetje për punën e Presidentit Ahtisari


Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s thanë sot në Bruksel se procesi i statusit përfundimtar të Kosovës po hyn në një fazë të re dhe se ata e mbështesin punën e Presidentit Ahtisari.

Komentet i bënë në Bruksel Shefi i Politikës së Jashtëme dhe i Çështjeve të Sigurisë të Bashkimit Evropian, Havier Solana dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer. Ata shfaqën shpresën se zgjidhja e statusit do të arrihet sa më shpejt sepse elementi kohë është me rëndësi. "Ne e kemi mbështetur punën e Presidentit Ahtisari. Siç e dini, ai ka qenë këtu në Bruksel shumë herë. Tani procesi po hyn në një fazë të re dhe presim të shikojmë se si do të jetë kjo fazë e re ndërkohë që vazhdojmë të mbështesin propozimet dhe punën e Presidentit Ahtisari", tha Shefi i Politikës së Jashtëme të BE-së, Havier Solana.

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer komentoi mbi përgjegjësitë e NATO-s në Kosovë. "Përgjegjësia e KFOR-it ka qenë dhe është krijimi në Kosovë i një klime sigurie dhe stabiliteti për të gjithë qytetarët e saj. Përgjegjësia kryesore e NATOs nuk është të negociojë se çfarë do të ndodhë në procesin e statusit përfundimtar. NATO-ja nuk ka këtë përgjegjësi. Qendrimi i NATO-s është se tani procesi është zhvendosur në Nju Jork. Presidenti Ahtisari e ka vizituar shpesh NATO-n sepse në fund të fundit Aleanca ka 16 mijë trupa në Kosovë. Shpresoj se në Këshillin e Sigurimit do të mund arrihet një zgjidhje për statusin e Kosovës, dhe sa më shpejt aq më mirë sepse elementi kohë është me rëndësi", tha Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jap de Hoop Scheffer.

XS
SM
MD
LG