Lidhje

O'Brajen: Misioni i ardhëshëm ndërkombëtar në Kosovë nuk duhet të jetë i gjithë-pushtetshëm


Ish i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin, Xhejms O’Brajën, thotë se misioni i ardhshëm ndërkombëtar në Kosovë nuk duhet të jetë i gjithë-pushtetshëm por duhet duhet të kufizohet tek ata sektorë ku qeverisja vendore nuk vepron dot, si goditja e korrupsionit, krimit të organizuar ndërkufitar, në sektorët e sigurisë dhe të shërbimeve të fshehta. Plani i zotit Ahtisari, thotë ish zyrtari i lartë amerikan, që ka luajur rol kryesor në hartimin e kushtetutës së Bosnjes gjatë Dejtonit, ndonëse i jep kompetenca të gjera pakicës serbe, nuk e lejon atë të bashkohet në një entitet të vetëm.

Zëri i Amerikës: Zoti O’Brajën, tetë vjet pas qëndrimit nën administrimin ndërkombëtar, Kosova ndodhet tashmë pranë pavarësisë, ndonësë me mbikqyrje po ndërkombëtare. A mendoni se plani i zotit Ahtisari, do të çojë në krijimin e një shteti funksional?

Xhejms O’Brajën: Mendoj se po. Më vjen mirë që kam rastin të flas sot për planin. Për të ekzistojnë disa keqkuptime. Presidenti Ahtisari ka bërë një punë të lavdërueshme për një plan që mund të funksionojë, që parashikon gjithë autoritet për një shtet modern. Plani ka parasysh edhe anët e veçanta të Kosovës. Pakicat e ndryshme kanë nevojë për mbështetje dhe plani ua jep mundësinë për t’u qeverisur dhe për të krijuar ndjenjën e besimit gjatë viteve të para të pavarësisë. Kryesorja, ajo që nuk duhet harruar, është se plani i jep Kosovës mundësinë të përcaktojë fatin e vet, ky është thelbi i paketës. Njerëzit nuk duhet të ngatërrohen nga hollësitë e planit, pasi mesazhi i tij i qartë është ajo që prisnin banorët e Kosovës prej dekadash.

Zëri i Amerikës: Në planin e zotit Ahtisari, përfaqësuesi ndërkombëtar do të ketë kompetenca të fuqishme, të anulojë ligje dhe të shkarkojë zyrtarë. Një sistem i ngjashëm ekziston në Bosnje prej 10 vjetësh dhe sot është vështirë që Bosnja të quhet një shoqëri funksionuse shumë-etnike.

Xhejms O’Brajën: Bosnja po ecën më mirë se sa thuhet. Por shoqëritë në Bosnje dhe Kosovë janë plotësisht të ndryshme. Krahasuar me Bosnjen, Kosova do të jetë një vend me një vizion më të unifikuar për të ardhmen, një shoqëri me një shumicë unike dhe një pakicë të vogël. Qeveria në Kosovë nuk do të ndahet në mënyrë aq radikale sa në Bosnje, sipas kushtetutës së Dejtonit, në të cilën unë isha një prej hartuesve. Një ndryshim tjetër i madh është se Kosova ka pritur dekada të tëra për t’u vetë-qeverisur dhe ndodhet në një moment kur Bashkimi Evropian ka thënë se dëshiron që gjithë vendet e rajonit të hyjnë në të. Në Bosnje, 5-6 vitet e para pas Dejtonit, kjo perspektivë mungonte. Ndihma dhe drejtimi nga jashtë mungonte për Bosnjen. Për këtë vend, ora filloi të punojë pas largimit të Millosheviçit. Ndërsa në Kosovë situata është ndryshe, pasi Kosova po e fillon me synimin e qartë se e di se ku po shkon dhe komuniteti ndërkombëtar po e ndihmon.

Zëri i Amerikës: Sipas një shkolle të menduari, decentralizimi është tepër i thellë dhe mund të çojë në të ardhmen në ndarje të Kosovës. E kam fjalën për tre komunat serbe në veri.

Xhejms O’Brajën: Mendoj se plani i zotit Ahtisari ka balancën e duhur. Ai është kritikuar, nga njera anë për shumë decentralizim, në favor të komunave serbe, dhe nga ana tjetër për shumë centralizim, në favor të autoritetit ndërkombëtar. Plani është një rrugë mes të dyjave. Është e rëndësishme që serbët në Kosovë të fitojnë besimin dhe të kenë aftësinë të qeverisin veten. Ata kanë qënën nën kontrollin e Beogradit dhe tani kanë frikë se do të bien nën kontrollin e Prishtinës. Ata duhet të zhvillojnë aftësinë e tyre qeverisëse. Thelbësore është që plani nuk u jep të drejtën të krijojnë një njësi, një entitet më vete. Komunat serbe nuk kanë të drejtë të bashkohen për të krijuar një eukivalent të qeverisë së Kosovës. Në Bosnje, për shumë arësye ne na u desh të krijonim struktura pushteti me bazë etnike, dhe pikësisht kjo i ka shkaktuar vështirësitë në Bosnje. Në Kosovë do të jetë ndryshem, qeveria bazohet tek shumica, me garanci për mbrojtjen e pakicave. Kjo do të bëjë që Kosovë të përparojë.

Zëri i Amerikës: Kur flasim për krijimin e një shoqërie shumë etnike në Kosovë, ajo nënkupton pjesëmarrjen edhe të pakicave në shoqëri. Serbët i kanë bojkotuar institucionet. Si mund të tërhiqen ata në jetën politike dhe shoqërore të Kosovës?

Xhejms O’Brajën: Do të duhen shumë përpjekje nga të dyja palët. Unë jam i zhgënjyer nga ajo që ka ndodhur gjatë 7-8 viteve të kaluara përsa i përket pakicës serbe. Përpjekjet nga shumica kanë qënë të pamjaftueshme, të fragmentizuara dhe të shoqëruara herë pas here me dhunë nga elementët ekstremistë. Qeveria e re në Prishtinë duhet të ndërmarrë një përpjekje të re të fuqishme për të tërhequr pakicat. Ka patur hapa pozitivë nga Kryeminsitri çeku ose nga paraardhësi i tij, por përpjekja duhet të jetë më sistematike. Nga ana e serbëve, ata duhet të fillojnë të flasin për veten e tyre. Deri tani ata nuk pasur zërin e tyre, por kanë folur përmes Beogradit, që në fakt interesohet më shumë për interesat e Serbisë se sa të serbëve në Kosovë. Serbët në Kosovë duhet të fillojnë të marrin vendime për veten e tyre dhe do të ketë mundësinë ta përcaktojnë vetë të ardhmen e tyre. Ata mund të shkojnë në Serbi në se dëshirojnë dhe të bëhen pjesë e rrugës së Serbisë drejt Bashkimit Evropian, ose mund të qëndrojnë dhe të kenë zërin e tyre në Kosovë. Ajo që ka rëndësi është që çdo njeri të lëvizë lirshëm, në ç’do moment dhe në ç’do vend, që serbët të ndihen pjesë e Kosovës dhe jo e komunës së tyre. Kjo do të kërkojë kohë si dhe masa për krijimin e besimit nga qeveria e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Kosova ka qënë nën mbikqyrjen ndërkombëtare prej 8 vjetësh dhe pritet të jetë në një mbikqyrje të tillë edhe për një të ardhme tjetër. Forma të tilla qeverisjeje nga komuniteti ndërkombëtar, a sjellin me vete rrezikun e vartësisë tek ndërkombëtarët?

Xhejms O’Brajën: Po, shqiptarët nuk të lënë përshtypjen që varen ose presin prej dikujt tjetër. Vartësia nuk përbën problem në kulturën e tyre, por unë jam i shqetësuar për misionin e ardhshëm ndërkombëtar. Në të ka disa individë shumë të mirë që pritet ta drejtojnë. Unë do të shpresoja që ata ta kuptonin se në çfarë procesesh ka kaluar Kosova gjatë viteve të kaluara. Kosova filloi si një vendbanim kolonial, për të cilin kishte nevojë pas lufte, por gradualisht po i merr vetë përsipër funksionet qeverisëse. Sot nuk mund të kthehemi më pas tek qeverisja e Kosovës me të jashtëm. Prania ndërkombëtare duhet të kufizohet tek ato sektorë që qeverisja vendore nuk vepron dot, si goditja e korrupsionit, krimit të organizuar ndërkufitar, në sektorët e sigurisë dhe të shërbimeve të fshehta. Po ashtu komuniteti ndërkombëtar duhet të manifestojë demokraci e transparencë dhe jo vetëm të flasë për to.

Zëri i Amerikës: Tani që plani iu paraqit Këshillit të Sigurimit, si do të procedohet më tej. Si do të ligjërohet pavarësia e Kosovës?

Xhejms O’Brajën: Kjo është e panjohuea e madhe. Çështja do të tjetë për disa javë në Këshillin e Sigurimit, ku do të debatohet me dyer të mbyllura. Muajt kyç janë prilli dhe maji, kur Britania dhe Shtetet e Bashkuara kanë presidencën e radhës. Në qershor udhëheqësit e 8-shes do të takohen në Gjermani dhe gjermanët besoj do të duan që kjo çështje të jetë e zgjidhur deri atëhere. Procesi pritet të jetë i tillë: Këshilli i Sigurimit duhet të votojë për të miratuar planin e zotit Ahtisari, për t’i dhënë fund misionit të tanishëm të OKB-së, dhe në këtë moment Bashkimi Evropian do të miratojë misionin e tij. Pritet të ketë një periudhë debatesh e pasigurish, kërkesa për raunde të tjera bisedimesh. Nuk do të çuditesha në se ndonjë i dërguar i posaçëm do të shkonte përsëri në rajon, për të parë mundësinë e një zgjidhje me negociata, mundësi që nuk ekziston, por Këshilli i Sigurimit duhet t’i ndërmarrë këto hapa. Pas kësaj, do të ketë 3 ose 4 muaj që autoriteteve në Prishtinë do t’u kërkohet të hartojnë kushtetën, me garanci për pakicat dhe pas kësaj, i takon popullit të Kosovës të vendosë. Ata do të shpallin pavarësinë dhe vendimi për njohjen do t’u takojë shteteve të veçanta. Një sërë prej tyre, do ta njohin pavarësinë. Ky do të jetë një proces i organizuar. Unë parashikoj që rreth 40 – 60 shtete do ta njohin Kosovën menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, në se Kosova tregon durimin e duhur për të pritur derisa të ndiqen hapat e parashikuar në planin Ahtisari.

Zëri i Amerikës: A jeni i shqetësuar për rolin e Rusisë në Këshillin e Sigurimit?

Xhejms O’Brajën: Askush nuk e di se ç’do të bëjë Rusia. Po pa dyshim që paraqet shqetësim. Rusët gjithmonë kanë patur vështirësi për ta bërë të qartë se cilat janë interesat e tyre në Ballkan. Ata kanë lidhje kulturore me Serbinë dhe duan që Serbia të ecë përpara. Rusët nuk duan të jenë përgjegjës për pasiguri në këtë rajon. Gjatë javëve të fundit ka patur deklarata të forta nga Bashkimi Evropian, nga Kancelarja Merkel, pak a shumë duke thënë se “ky është oborri ynë i prapëm”, ne e duam Kosovën të pavarur, si pjesë e një zgjidhje të qëndrueshme. Ajo që po ndodh është një provë për marrëdhëniet mes Rusisë dhe Serbisë. A do Rusia që Serbia të ecë drejt Bashkimit Evropian? Kjo është një zgjedhje për të cilën duhet të vendosë populli i Serbisë. //rd//

XS
SM
MD
LG