Lidhje

Ndihmat nga vendet jo-demokratike për vendet në zhvillim; Sa ndikuese janë ato?


Ndihmat e huaja nga vendet jodemokratike për vendet në zhvillim, veçanërisht në Afrikë po shtohet duke ngritur pikëpyetjen në se këto ndihma dëmtojnë projektet e zhvillimit nga agjencitë tradicionale perendimore të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera. Ndihma nga vende si Kina, Venezuela dhe Irani janë quajtur ndihma të vështira. Kritikët thonë se shkak për këtë janë kushtet e ndihmës, të cilat nuk janë gjithmonë të deklaruara qartë dhe palës tjetër nuk i kërkohet ta marrë këtë ndihmë për të forcuar institucionet qeveritare, për të eleminuar korrupsionin ose për zbatimin e reformave ekonomike.

Vizita kohët e fundit e presidentit Hu Jintao në Afrikë ku u përshëndet me nderime në çdo ndalesë, nënvizoi rritjen e ndikimin ekonomik dhe politik të Kinës në këtë kontinent. Kina dërgon tani disa miliardë dollarë në ndihma çdo vit në Afrikë. Megjithatë, objektivi i Pekinit nuk është nxitja e zhvillimit, thotë profesori i ekonomisë në Universitetin e Harvardit, Kenneth Rogoff.

“Synimi i Kinës është të mbajë marrëdhënie të mira, të përpiqet të sigurojë burime natyrore. Kinezët janë shumë më pak të interesuar në çështje të qeverisjes dhe institucioneve. Janë më pak të shqetësuar nëse këto vende do të zhvillohen dhe do të mëkëmben një ditë, përsa kohë që ata arrijnë të sigurojnë burimet natyrore”.

Një analist i politikës së jashtme shkroi kohët e fundit në gazetën Nju Jork Tajms, duke e quajtur ndihmën nga Kina, Venezuela dhe vende të tjera jo-demokratike “ndihmë të vështirë” dhe vlerëson se në fund të fundit ajo është dëmtuese pasi tenton të jetë jo-transparente dhe nuk vendos kushte për reforma. Kjo ndihmë është ndryshe nga ndihmat e Shteteve të Bashkuara, Bankës Botërore dhe donatorëve të tjerë perendimorë tradicionalë, që në përgjithësi synojnë të inkurajojë qeverisje të mirë.

Banka Botërore për shembull, ka një proces të imtësishëm kontrolli para se t’u japë ndihmë vendeve të varfëra. Alan Gelb është drejtor i bankës për politikat e zhvillimit.

“Sasia e parave që një vend merr nuk përcaktohet thjeshtë nga projektet. Ajo përcaktohet nga vlerësimi i menaxhimit dhe qeverisjes së vendit. Pra ne kemi përgjegjësi përtej projekteve tona përsa i takon menaxhimit financiar në atë vend”.

Qeveritë në Zimbabve dhe Sudan mbështeten shumë tek ndihmat e Kinës. Kritikët thonë se mbështetja e Kinës për regjimin sudanez lidhur me çështjen e Darfurit, në pjesën më të madhe bazohet në sigurimin e një furnizimi të qëndrueshëm të naftës sudaneze.

Në rastin e Venezuelës, presidenti Hugo Chaves e përdor pasurinë e madhe të vendit të tij me naftë për të dërguar ndihma në Nikaragua, Bolivi dhe vende të tjera në përpjekje për të krijuar një aleantë anti-amerikane.

Megjithatë, edhe vetë Shtetet e Bashkuara kanë përdorur ndihmat e huaja për të ndjekur objektiva të politikës së jashtme, veçanërisht gjatë Luftës së Ftohtë, kur presidenti John F. Kennedy dhe të tjerë u dhanë ndihma aleatëve anti-komunist të Amerikës.

Ja si shprehet Steven Radelet, analist në Qendrën private për Zhvillimin Global në Uashington.

“Shtetet e Bashkuara i dhanë ndihmë qeverisë së Zairesë për një kohë të gjatë dhe ne nuk donim tja dinim se çfarë qeverisje kishin ata përsa kohë që ishin aleatët tanë në Luftën e Ftohtë. Mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm mendoj kur kritikojmë të tjerët, pasi vetë kemi bërë të njëjtën gjë dhe vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë në shumë vende të botës”.

Të ashtuquajturat ndihma të vështira, sigurojnë fonde për autostrada dhe projekte të tjera të infrastrukturës në Afrikë dhe gjetkë që nuk financohen më nga donatorët tradicionalë. Sipas Alan Gelbit të Bankës Botërore ekzistojnë si përfitime edhe rreziqe nga këto ndihma.

“Përfitimi është se ka më shumë para që shpesh shkon për infrastrukturën në një kohë që donatorët tradicionalë po largohen nga kjo fushë. Ndoshta kjo lloj ndihme po krijon një farë konkurence në sistem dhe mendoj se kjo është gjë e mirë. Por nga ana tjetër, ajo që do të donim të shihnim është më shumë transparencë lidhur me kushtet e vëna për këto fonde si nga ana e donatorëve të rinj ashtu dhe nga qeveritë që i marrin ato”.

Ndërsa Kina dhe vende të tjera jo-demokratike do të vazhdojnë të përdorin ndihmën e huaj për të shtuar ndikimin e tyre, është e qartë se parimet e qeverisjes së mirë dhe reformat demokratike të nxitura nga agjencitë e ndihmave perendimore do të jenë të efektshme vetëm në se vetë vendet duan t’i zbatojnë ato./al/

XS
SM
MD
LG